E Shtunë, 31 Tetor 2026

VV Komision hetimor per PTK-ne

Lëvizja Vetëvendosje ndërmer një nismë për formimin e një komisioni hetimor parlamentar, synimi i së cilit do të ishte hetimi i proçesit të privatizimit të 75% të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Për të arritur këtë duhen 40 firma të deputetëve, por Vetëvendosje, e cila ka 12 deputetë, duhet të marrë mbështetjen edhe të partive opozitare, LDK-së dhe AAK-së. Kjo gjë u bë e ditur të mërkurën gjatë një konference për media, ku nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti hodhi dyshime për privatizimin e PTK-së. “Deri në këtë moment nuk kemi përgjigje. Ju e dini që AAK-ja ka dalë në përkrahje të proçesit dhe LDK-ja e ka kundërshtuar. Por, nuk kemi marrë përgjigje nëse do të japin nënshkrimet apo jo”, ka deklaruar Ahmeti. Sipas Ahmetit, në bazë të kërkimeve në internet, por edhe nga aktivistët e Vetëvendosjes në Gjermani, adresa e kompanisë “Axos Capital Partners”, nuk është më shumë se një shtëpi. Po sipas tij, kjo kompani gjermane (e cila së bashku me “Najafi Companies” nga Amerika janë fituese të 75% aksioneve të PTK-së) nuk ka përmbushur njërin nga kushtet kryesore. ““Axos Capital Partners”, sipas qeverisë, është fituese. Fituesi i privatizimit të PTK-së, në këtë rast udhëheqësi i konsorciumit, duhet të ketë përmbushur disa kushte. Neve nga hulumtimi jonë kemi vënë re se kjo kompani ka një kapital të regjistruar prej 25 mijë eurosh dhe me qarkullim mijëra euro e jo miliona siç pretendohet. Dhe neve na duket se kjo kompani është përfaqësuese e një blerësi tjetër. Ne duam ta dimë se kush është blerësi tjetër, kush qëndron me kapital 277 milionë euro”, ka nënvizuar Ahmeti. Ahmeti ka thënë se po kërkojnë që qeveria e Kosovës të sqarojë nëse këto dyshime janë të vërteta, ndërsa ka shfaqur edhe dyshimin se në këtë privatizim janë të përfshira kompani që janë të lidhura me PDK-në. Në anën tjetër, Ministria për Zhvillim Ekonomik ka sqaruar edhe një herë opinionin në lidhje me konsorciumin gjermano-amerikan si fitues të kësaj gare. “Garancitë për kredibilitetin e këtij grupi të investitorëve janë dhënë edhe nga shtetet e origjinës së investitorëve. Në këtë kontekst, rëndësia e këtij proçesi është konfirmuar përmes qëndrimit të përbashkët të ambasadës së Gjermanisë, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar”, thuhet në një komunikatë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›