VV: Korrupsioni me lejet e ndërtimeve rrezikon jetën e qytetarëve

Lëvizja Vetëvendosje! ka shprehur shqetësimin për shkaktarët e shembjes së dheut afër çerdheve në Prishtinë.
Një grup i përbërë nga anëtarë të Kryesisë së Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë kanë dalë sot, më 17 mars 2013 tek çerdhja “Lulevera” në lagjen Dardania për të parë nga afër situatën e krijuar pas shembjes së dheut javën e kaluar nga gërmimet për ndërtimin e objektit shumëbanesorë.
Ndërsa Kryetari i Qendrës së VETËVENDSOJE!-s në Prishtinë, Berat Lahu me këtë rast deklaroi se “ndërtimet e egra gjatë viteve të pasluftës e kanë sjellë Prishtinën në gjendjen e para katastrofës. Tanimë jo vetëm që është shkatërruar qyteti në rrafshin e rritjes e zgjerimit por ndërtimet po rrezikojnë shëndetin dhe jetën e qytetarëve”.
“Për fat të mirë kësaj radhe nuk ka pësuar asnjë fëmijë. Mirëpo kjo çështje kurrsesi nuk guxon të lihet në duart e rastësisë. Është deri diku e kuptueshme rendja pas fitimit e ndërtuesve. Por është plotësisht e pakuptueshme indiferenca e autoriteteve shtetërore për kontrollin e rreptë në lidhje me standardet e ndërtimeve”, ka thënë Lahu.
Ai ka bërë fajtorë organet kompetente për këtë punë.
“Është Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria e Urbanizmit Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit dhe Drejtoria e Inspeksionit që bartin përgjegjësinë në rast të rrezikimit të jetës, apo shkaktimin e dëmeve materiale gjatë ndërtimeve që ndodhin në Prishtinë”, ka vazhduar Lahu.
Sipas tij, rrezikimi i jetës së fëmijëve që ndjekin procesin edukativ në çerdhen ‘Lulevera’ dhe dëmi material që u shkaktua javën e kaluar nga ana e Komunës së Prishtinës nuk është rasti i parë dhe nuk do të jetë i fundit nëse nuk reagojmë si shoqëri./Indeksonline/