Prodi: Zgjerimi i BE-së duhet të vazhdojë

Ish-kryeministri i Italisë dhe kryetar i Komisionit Evropian, Romano Prodi deklaroi se zgjerimi i Unionit, pavarësisht lodhjes dhe krizës në BE, duhet të vazhdojë, por vetëm me shtetet nga Ballkani. Prodi, i cili mbajti një fjalim në fondacionin Karnegi në Washington, vlerësoi se Maqedonia do të duhej të ishte anëtarja e tretë e BE-së nga ish-Jugosllavia, por që kriza ekonomike është shkaku kryesor për ngecjen.
“Maqedonia bëri avancim fantastik dhe mendova që do të jetë një ndër vendet e para për inkuadrim, por për shkak të krizës dhe lodhjes nga zgjerimi në BE, ky proces u ndërpre pas Sllovenisë dhe Kroacisë”, tha Prodi, transmeton Alsat-M.
Sipas Prodit, BE-ja duhet edhe krahas krizës t’i fillojë negociatat me Maqedoninë dhe në përgjithësi t’i vazhdojë integrimet. Prodi vlerëson se BE-ja duhet të nënshkruajë marrëveshje për stabilizim dhe asociim me Ukrainën, Armeninë dhe Gjeorgjinë, me qëllim që këto shtete të hyjnë në marrëdhënie partneriteti me BE-në. /Indeksonline/