VV: Me darka nuk mund t’i bleni votat

Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, duke iu referuar darkës që shtroi, ditë më parë, kryeministri Thaçi për punëtorët arsimor të Gjilanit, kanë thënë se me parat e plaçkitura nga populli po tentojnë t’i blejnë votat e punëtorëve të arsimit.
Arjeta Rexhepi, që njëherësh është edhe kandidate për këshilltare komunale nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se në prag të zgjedhjeve filloi avazi i vjetër, darka e dreka për vota nga ata që para katër viteve premtonin investime qindra miliona euro e punësim herë të 4000 e herë të 7.000 të rinjve. Darka që po shtohen me para të plaçkitura nga populli, duke i bërë këto darka tradicionale gjithmonë në prag të zgjedhjeve.
“Darkat po i shtrojnë ata që vitin e kaluar e lanë pa shkollim nxënësen e klasës dytë fillore të Stanqiqit të cilës nuk ia paguanin transportin me arsyetimin se nuk kishin para. Kjo formë e blerjes së votave jo vetëm se është e ndaluar me ligj dhe e pamoralshme, por këtë vit do të jetë edhe e pasuksesshme sepse askush nuk do ta shes më votën për një darkë e aq më pak këtë mund ta bëjnë mësimdhënësit, të cilët edukojnë breza dhe nxënës. Mashtruesit, kësaj radhe, do të mashtrojnë vetëm vetveten, me humbjen e qyteteve më të rëndësishme në këto zgjedhje lokale”, ka thënë Rexhepi./Indeksonline/