E Diel, 1 Nëntor 2026

VV: Me lejimin e zgjedhjeve serbe, Qeveria e shkeli Kushtetutën

Qeveria e Republikës së Kosovës e ka shkelur Kushtetutën, e ka shkelur rezolutën e Kuvendit të Kosovës të miratuar më 15 mars, nismëtare e së cilës ishte vetë ajo. Kjo rezolutë e obligonte Qeverinë e Kosovës që të vepronte në rast se zgjedhjet serbe mbahen në Kosovë.

Këto akuza i ka bërë nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i lëvizjes Vetëvendosje në një konferencë për media të hënën. Kundër këtyre akuzave ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar nga partia më e madhe në pushtet, PDK, Adem Grabovci, i cili tha se nuk ka pasur zgjedhje serbe në Kosovë dhe nuk është shkelur asnjë parim kushtetues i vendit.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe njëherësh edhe deputet nga lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se lejimi nga Qeveria e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë është shkelje e Kushtetutës si dhe e rezolutës së Kuvendit të Kosovës, nismëtare e së cilës ka qenë vetë Qeveria. Sipas tij, kjo rezolutë e obligon Qeverinë që të veprojë në rast se zgjedhjet serbe mbahen në Kosovë.

“Ne mendojmë se lejimi nga ana e qeverisë i zgjedhjeve të Serbisë brenda shtetit të Kosovës paraqet një sërë shkeljesh, duke filluar që prej rezolutës së Kuvendit e deri të Kushtetuta dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës. Më 15 mars të këtij viti, Kuvendi i Kosovës pat nxjerrë një rezolutë në pajtim me të gjitha grupet parlamentare, e që e obligonte Qeverisë e Republikës së Kosovës që në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, Qeveria të merrte masat konkrete dhe të caktuara për t’i ndaluar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve brenda territorit të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet të ndihet i mashtruar nga Qeveria, pasi që kemi të bëjmë me një vendim të nxjerrë nga Kuvendi i cili është obligativ për Qeverinë. Ai ka shtuar se kjo nuk është hera e parë që Qeveria i shkel vendimet e Kuvendit dhe kjo është në vazhdën e shkeljeve që ajo po i bën.

Konjufca ka shtuar se me mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, pakica serbe po i mban sytë kah Tadiçi dhe Nikoliçi, në vend se t’i mbajë kah Qeveria e Kosovës, pjesë e së cilës është kjo pakicë.

“Duke mbajt këso zgjedhjesh në Republikën e Kosovës, pakica serbe e cila duhet të integrohet në Republikën e Kosovës, gjithmonë po i mban sytë drejt Tadiçit apo Nikoliçit në vend që ta kthejë shikimin e saj drejt Republikës së Kosovës, shtetit të së cilës kjo pakicë i përket”, ka thënë ai.

Këtyre akuzave u është përgjigjur shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Adem Grabovci, i cili është shprehur se i kupton reagimet e opozitës, e cila, siç tha ai, po merr goditje çdo ditë edhe nga elektorati i tyre. Ai ka thënë se kur kemi të bëjmë me çështje të ndjeshme, opozita duhet t’i vlerësojë gjërat drejt dhe arsyeshëm.

Sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, Grabovci ka thënë se nuk ka pasur zgjedhje serbe në Kosovë dhe se nuk është shkelur asnjë parim kushtetues i vendit, ndërsa ka thënë se është respektuar një e drejtë e qytetarëve që kanë dyshtetësi, që të votojnë për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

“Përcaktimet e Partisë Demokratike dhe të Qeverisë së Kosovës janë shumë të qarta, nuk ka zgjedhje serbe në Kosovë, ndërsa kemi respektuar një të drejtën e çdo qytetari që respektohet çdokund. Qytetarët që kanë dyshtetësi kanë pas të drejtë të votojnë dhe të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe për parlament, ndërsa të tjerat u është pamundësuar dhe është hera e parë që në Kosovë nuk lejohet të organizohen zgjedhjet lokale për institucionet lokale brenda territorit të Kosovës”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se institucionet e Kosovës janë duke punuar që të krijojnë kushte ku qytetarët serbë të Kosovës që jetojnë në veri të Mitrovicës të votojnë për t’i zgjedhur udhëheqësit e tyre legjitimë.

Ndërsa i pyetur nga gazetarët që të njëjtën gjë ta bëjë edhe Qeveria e Kosovës, duke ua mundësuar të votojnë edhe qytetarëve të Luginës së Preshevës në zgjedhjet në Kosovë, Grabovci ka thënë se është e drejtë e çdo qytetari, kudo që jetojnë, qofshin edhe ata të Luginës së Preshevës, që të votojnë në zgjedhjet në Kosovë.

“Është e drejtë e çdo qytetari që të merr pjesë dhe qytetarët kudo që jetojnë, qofshin ata të Luginës së Preshevës, apo në shtetet e tjera, ku ne kemi një numër të konsiderueshëm të qytetarëve tanë që jetojnë kanë të drejtë dhe do të marrin pjesë në zgjedhje”, ka thënë ai.

Ndërsa lidhur me këtë çështje, Glauk Konjufca ka thënë se nuk do të duhej që të kërkonim reciprocitet me Serbinë në këtë aspekt.

“Nuk do të duhej që të kërkonim ne reciprocitet në këtë aspekt. Duket të ketë zgjedhje të Serisë në Kosovë dhe duhet të ketë zgjedhje të Kosovës në Serbi. Ne mendojmë se duhet të ketë zgjedhje të Republikës së Kosovës përbrenda territorit të Kosovës që institucionet e mandatuara të Kosovës të jenë bartëse të këtij procesi zgjedhor dhe gjithçka tjetër është e paligjshme”, ka thënë ai. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›