E Shtunë, 31 Tetor 2026

VV: Ministria e Shkatërrimit Ekonomik

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, përmes një aksioni të ndërmarrë të dielën, kanë mbuluar pllakën ku shkruhet Ministria e Zhvillimit Ekonomik tek hyrja e ministrisë në fjalë, duke e zëvendësuar atë me mbishkrimin “Ministria e Shkatërrimit Ekonomik”.

E tërë kjo sipas aktivistëve të Vetëvendosjes, po bëhet për të ilustruar më qartë punën e kësaj ministrie, e cila sipas tyre, nuk po e zhvillon, por po e shkatërron ekonominë e këtij vendi.

Nol Nushi, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se në tabelën hyrëse të kësaj ministrie, ata kanë shkruar fjalën, e cila tamam i përgjigjet veprimtarisë së kësaj ministrie, e që është Ministri e Shkatërrimit Ekonomik, pasi që me punën e bërë deri tani, e ka dëshmuar që po e shkatërron vendin dhe ekonomin e tij.

“Objekti përball, të cilit gjendemi ne sot, gabimisht dhe rrejshëm e ka mbajtur emrin Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Puna që ka bërë dhe po bënë kjo ministri, vazhdimisht çdo ditë, është shkatërruese dhe shumë e dëmshme për popullin e Kosovës, saqë veç zhvillim s’mund të quhet. Ministria, me të cilën udhëheq Besim Beqaj, po vazhdon rrugën e verbër të privatizimit”, pohoi Nushi.

Rruga e verbër e privatizimit dhe shkatërrimit, sipas Nushit ka filluar me emërimin e militantëve partiak në krye të bordeve të ndërmarrjeve publike, në vend të ekspertëve të fushave të caktuara. Dhe se, kjo sipas tij është bërë pikërisht për të ulur vlerën e këtyre ndërmarrjeve, duke përgatitur arsyen e tyre të mëvonshme për privatizimin e tyre. Pra korrupsioni i ushtruar nga po kjo Qeveri, sipas tij del e na bëhet arsye, se pse kjo Qeveri do t’i privatizojë këto ndërmarrje.

Vetëvendosje i kujton ministrit Beqaj se kundërta e korrupsionit, nuk është privatizimi, por trajtimi me kujdes dhe përgjegjësi i pronës publike. Nushi ndër të tjera tha se korrupsioni nuk luftohet me privatizim, por më vendosje të drejtësisë dhe ndëshkim të korrupsionit.

“Të shitet PTK-ja, e cila kompani i ka sjellë deri më tani buxhetit tëKosovës rreth 400 milionë euro të hyra, kjo nuk është zhvillim por shkatërrim. Të kalohet furnizimi me energji elektrike nga ndërmarrja publike në një monopol privat, i cili dhe do të caktojë çmimet e rrymës, do të thotë që energjia elektrike nga një e drejtë që i takon çdo qytetari, të bëhet mall luksi, kjo nuk është zhvillim, por është shkatërrim. Të likuidohet Trepça, pa të cilën as që mund të paramendohet zhvillimi industrial i Kosovës, kjo nuk është zhvillim por është shkatërrim. Pra puna që po bënë kjo Qeveri, është shkatërruese për Kosovën dhe qytetarët e saj”, tha ai.

Pas vendosjes së këtij mbishkrimi mbi tabelën e MZHE-së, në vend ngjarje menjëherë arritën Policia e Kosovës, të cilët edhe pas shumë përpjekjesh për ta gjetur rrugën, se si ta largojnë mbishkrimin e vendosur nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk arritën të gjejnë një alternativë, për dallim nga Vetëvendosja, e cila e pati fare të lehtë rrugën, për të arritur tek pllakata e vendosur në hyrje të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe për ta mbuluar atë./kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›