E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ide raciste

Kryeministri serb, Ivica Dacic ka riaktualizuar çështjen e ndarjes së Kosovës në prag të bisedimeve Prishtinë-Beograd. Ai ka thënë se është i sigurt se me këtë opsion pajtohen edhe shqiptarët. Por, Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj e ka quajtur raciste idenë e zyrtarit serb. Analistët qëndrimin e Dacicit e shohin si pozicionim të Serbisë përballë procesit të bisedimeve.

Pavarësisht se një ditë më parë Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic deklaroi se Beogradi do të ndërtojë ura bashkëpunimi me shtetet e rajonit dhe Prishtinën, të shtunën ai doli me idenë për ndarjen e Kosovës, të cilën e konsideron si zgjidhje të vetme reale.

Ai madje ka thënë se ndarja e Kosovës është e pranueshme edhe për shqiptarët.

“Mendoj se ndarja e Kosovës është zgjidhja e vetme reale dhe jam i sigurt se atë do ta pranonin edhe shqiptarët në Prishtinë”, ka thënë Dacic për televizionin “Pink”

Por, në Prishtinë ideja e zyrtarit serb është quajtur raciste, që destabilizon tërë Ballkanin.

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj ka dhënë disa arsye se pse duhet të kundërshtohet një qëndrim i tillë.

“Së pari, ideja e ndarjes së Kosovës është një ide raciste, e cila bazohet në pikëpamjen e gabuar se qytetarët e Kosovës, shqiptaret dhe serbët nuk mund të jetojnë në një shtet demokratik dhe se ndarja territoriale etnike paraqet zgjidhje. Kjo ide jo vetëm se bie ndesh me realitetin dhe interesin shtetëror të Kosovës, por bie ndesh edhe me vetë interesat e komunitetit serb në Kosovë, meqë shumica dërrmuese e tyre jeton brenda Kosovës dhe është e integruar në të gjitha institucionet e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj, për Express, të shtunën.

Por Dacic ka thënë se shumëkush që përmend protestat që mund të nxisë ndarja, duhet ta ketë në mendje faktin që edhe Serbia është ndarë.

Në reagimin e tij, Kryediplomati i Kosovës ka insistuar se ndarja e Kosovës destabilizon vendet e Ballkanit.

“Ideja për ndarjen e Kosovës është një ide që promovon dhunën dhe kërcënon paqen dhe sigurinë, meqë një skenar i tillë do të destabilizonte jo vetëm Kosovën brenda saj, por do të prodhonte efekte zinxhirore në formë të ndarjeve etnike në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, kështu që rajoni i Ballkanit do të kthehej në situatën e fillimit të viteve ‘90 të dhunës etnike”, ka thënë Ministri i Jashtëm.

“Është një ironi e kohës që Kryeministri aktual serb, si një bashkëpunëtor dhe nxënës i Milosevicit, duket se nuk ka mësuar nga leksionet e dështimeve të mentorit të tij. Kosova e pavarur dhe e ndërtuar në parimet e multietnicitetit dhe demokracisë paraqet një shtet koheziv shumetnik dhe është një fakt gjeopolitik në Ballkan. Ajo është njohur në kufijtë e tanishëm dhe integriteti i saj territorial dhe sovraniteti janë të paprekshme. Gjatë historisë, Kosova ka qenë diverse në kuptimin etnik dhe e tillë do të mbetet çdoherë”, ka shtuar ai.

Analisti politik, Ardian Arifaj konsideron se ideja e Dacicit po bëhet për të forcuar pozicionin e Serbisë karshi bisedimeve që pritet të nisin mes Prishtinës dhe Beogradit, e ku pritet të flitet edhe për Veriun.

“Ivica Dacic nuk është i panjoftuar me faktin që bashkësia ndërkombëtare fuqimisht është kundër ndarjes, por ai po do të marrë një pozicion sa më të skajshëm para bisedimeve, ku do të flitet edhe për Veriun. Ai po tenton që sa më radikalisht, në mënyrë ekstreme, që kur të flitet për Veriun, të lypë sa më shumë koncesione”, ka thënë Arifaj, për Express.

Sipas tij, udhëheqësit e Kosovës duhet të vazhdojnë të mbajnë të njëjtin qëndrim se nuk duhet të flasin me Serbinë për Veriun, pavarësisht presioneve ndërkombëtare.

“Përgjigjja e Prishtinës duhet të vazhdojë sikurse ka ndodhur deri më tash prej krejt lidershipit. Duhet të vazhdohet me qëndrimin se për Veriun s’kemi çka flasim me Serbinë, sepse është çështje e brendshme e Kosovës dhe kemi shumë tema të tjera për të cilat mund të flasim, por për Veriun jo”, ka shtuar ai.

Arifaj pohon se qëndrimet e forta të Prishtinës përballë Serbisë mund të ndikojnë që ndërkombëtarët të bëjnë edhe më shumë presion për largimin e institucioneve të Serbisë në Veri dhe të eliminohet përgjithmonë tema e ndarjes.

“Çka mund të bëjë Serbia në Veri është që t’i përmbushë kërkesat e BE’së që tash së voni u artikuluan shumë qartë prej Bundestagut gjerman – ato gjashtë pikat – të tërhiqen prej Veriut të gjitha institucionet ilegale dhe mandej të flitet për Serbinë, për problemet që kanë mbetur hapur mes Kosovës dhe Serbisë”.

Por, Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic ka deklaruar se bashkësia ndërkombëtare nuk mund ta detyrojë Beogradin ta njohë Kosovën.

Sipas tij, tani duhet të shtendosen marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe deri në anëtarësimin e kësaj të fundit në BE, “duhet të gjenden zgjidhje të qëndrueshme, që nuk nënkuptojnë njohje”.

“Në këtë fazë, është e pranueshme gjithçka që nuk është pranim i pavarësisë së njëanshme të Kosovës. Nuk mundet Brukseli të na detyrojë ta pranojmë pavarësinë, pasi 5 vendet anëtare të BE’së nuk e kanë bërë këtë”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se tani duhet të relaksohen raportet mes Prishtinës dhe Beogradit dhe që për hyrjen në BE të gjenden zgjidhje të qëndrueshme që nënkupton se Serbia nuk duhet ta njohë Kosovën, por sipas tij, në këtë mënyrë nuk do të ndalet rruga e integrimeve të Serbisë.

Dacic ka pranuar se për anëtarësim në BE, duhen disa vjet.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›