E Shtunë, 31 Tetor 2026

VV: Në veri duhet të dërgohet FSK-ja

Nëse duam ta bashkojmë Mitrovicën, ne duhet t’i themi jo dialogut me Serbinë dhe mallrave të Serbisë, sepse bisedimet janë në të mirë të shtetit të Serbisë dhe në dëm të Kosovës, e veriut të saj. Këto komente i ka bërë lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të shtunën gjatë një tribune me qytetarët e Mitrovicës.

Ai theksoi se në këto bisedime është shkuar pa asnjë parim dhe pa asnjë kushtëzim për Serbinë, andaj bisedimet e zhvilluara në Bruksel janë të dëmshme për Kosovën

Sipas tij, përmes këtyre bisedimeve BE-ja do t’i hap rrugën Serbisë, derisa Kosova po e largon edhe më shumë nga vetja veriun e saj.

Ai tha se shteti i Kosovës duhet të vë në shënjestër burimet e financimit të strukturave paralele.

“Në veri, duke përfshirë pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, duhet të ndërtohen baza të Policisë së Kosovës, ndërsa atje duhet dërguar edhe FSK-në, e cila duhet të shpallet ushtri”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Ndërkaq, Shpend Ahmeti, nënkryetar i kësaj Lëvizje, tha se popullin e Kosovës janë duke e përfaqësuar në këto bisedime njerëzit të cilët për çdo ditë kanë nga një skandal.

Në lidhje me përgjimet, ai shtoi se ato u bënë publike atëherë kur kryeministri Thaçi pati kritikuar punën e EULEX-it si të turpshme, ndërsa këta të fundit i publikuan bisedat për të dëshmuar se kush vërtetë po bënë punë të turpshme.

Visar Imeri, deputet në Parlamentin e Kosovës, ka thënë se gjatë bisedimeve të zhvilluara deri tani, strukturat paralele jo që nuk janë larguar, por ato janë legjitimuar në një mënyrë. Sipas tij, me marrëveshje për kufirin, një pjesë nga paratë e doganave do të shkojnë në financimin e strukturave paralele të Serbisë.

Në anën tjetër, Glauk Konjufca, nënkryetar i Parlamentit të Kosovës, tha se shtetet demokratike nuk do të lejonin në asnjë mënyrë që një pjesë e vendit të tyre të qeveriset nga krimi, siç ndodhë me veriun e Kosovës.

“Shteti i Kosovës duhet të dërgojë forca legjitime në atë pjesë, pastaj të arrestojë kriminelët dhe me këtë do të zgjidhej edhe problemi i veriut“, ka thënë Konjufca. /Kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›