E Diel, 1 Nëntor 2026

Man City, ‘kampion’ me penallti

Manchester City si kampion në fuqi i Premierligës ka edhe një tjetër ‘titull’. Sipas menaxherit të Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, rivali i qytetit veçohet edhe për numrin e madh të penalltive që i akordohen në favor në ndeshjet si vendës. Statistikat përkrahin atë që thotë strategu skocez. City nga fillimi i sezonit 2010-11 ka përfituar 20 penallti si nikoqir në Premierligë.

Manchester City është kampion në fuqi i Premierligës. Por, rivali nga Manchester United, më saktësisht menaxheri Sir Alex Ferguson i ka dhënë një tjetër epitet të kampionit fqinjit me të cilin do të takohen të dielën në Etihad Stadium.

Strategu skocez ka shprehur brengosjen e tij për numrin e madh të penalltive të akorduara në favor të Cityt në ndeshjet si nikoqir. Deklarata e tij përkrahet edhe nga statistikat. City është skuadra me më së tepërmi penallti të akorduara në favor si vendas nga fillimi i sezonit 2010-11, me plot 20 sosh, kundër 13 të Manchester Unitedit.

“Nëse ne do të kishim një numër të tillë penalltish atëherë do të zhvilloheshin hetime”, deklaroi Ferguson. “Do të kishte protesta”, shtoi ai. Deklaratat e Fergusonit u bënë një ditë para duelit me Cityn, që gjen skuadrën e tij në krye të tabelës me tri pikë më tepër se rivali i qytetit.

City deri më tani gjatë këtij stinori ka përfituar tri penallti si vendas, dhe i ka shënuar të tria. Kurse, United humbi të dyja të akorduarat në Old Trafford. Më 2010-11 në Premierligë, City përfitoi gjashtë penallti më tepër në shtëpi se sa United, me total prej tetë sosh.

Ferguson beson se lufta për titull këtë stinor do të zhvillohet mes skuadrave të Manchesterit. “Do të jetë vështirë të mendohet se dy prej nesh do të pësojnë dhe se një tjetër skuadër do të ngjitet andaj mendoj se lufta do të jetë mes nesh të dy. Kemi një epërsi të konsiderueshme ndaj Chelseat, Arsenalit dhe Tottenhamit. City do të jetë kërcënimi ynë më i madh”, u shpreh Ferguson.

Penalltitë si vendas në Premierligë nga 2010-2011:

Man City: 20

Man Utd: 13

Chelsea: 10

Fulham: 9

Newcastle: 9

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›