E Shtunë, 31 Tetor 2026

VV: Nënkryetarja jonë u arrestua dhunshëm

Derisa ambasadorja amerikane ka publikuar një foto me një shenjë në dorë duke aluduar që është lënduar në protestën e Vetëvendosjes, dhe pak më vonë është publikuar një foto nga një festë ku ka shkuar ajo, në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se janë protestuesit janë ata që janë të lënduar për të cilët ka edhe incizime.

Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje Dardan Molliqaj i arrestuar në protestën kundër ratifikimit të marrëveshjes, rrëfen për Indeksonline rastet e lëndimeve te protestuesve. Disa prej tyre, sipas tij, ende nuk janë në gjendje të mirë. Në njërin prej rasteve të të lënduarve në këtë protestë ai tregon se ka pasur sulm në zemër, ndërkaq për një rast tjetër thotë se protestuesi kishte humbur ndjenjat. I lënduari që ka pësuar sulm thotë se është Islam Islami, 43 vjeç, ish ushtar i UÇK, tash aktivist në Qendrën e kësaj lëvizjeje në Besianë.



“Islami ka ardhur së bashku me aktivistët e Qendrës së Besianës në protestë dhe gjatë intervenimit të Njësisë speciale te hyrja e Kuvendit, kah ana e Komunës ka qenë i ulur në tokë së bashku me plot aktivistë të tjerë kur është goditur intensivisht në krahun e majtë dhe në gjoks nga ana e majtë, me shqelma dhe pendrek (shkop gome)”, thotë Molliqaj.

Sipas tij, konkluzioni i mjekëve ka qenë se sulmi në zemër është shkaktuar nga goditja që e ka pësuar gjatë protestës.
Ndërkaq, shton se edhe sot sot gjendja e tij nuk është e mirë.
Nënkryetrja e kësaj lëvizjeje Aida Dërguti, e ka pësuar rëndë poashtu, thotë Molliqaj.

“Znj. Dërguti është një nga rastet e shumta, prej 68 të arrestuarve, e cila as nuk bënte rezistence as nuk po përpiqej të kundërshtonte urdhërin e policisë në momentin e arrestimit. Që në çastet e para policët e tërhiqnin nga trupi dhunshëm”, shpjegon Molliqaj deri sa shton se arrestimi ka qenë i dhunshëm dhe përgjatë tij ka pasur goditje nga policët.

Aktivisti nga Istogu, Agron Kabashi, kishte humbur ndjenjat. Sipas Molliqajt, kjo ishte shkaktuar nga marrja e spray-it. “I gjendur në tokë, pa mundësi për të lëvizur goditet për dhjetëra herë radhazi me shkelma nga policët të cilët pasi pamë që nuk ngrihej në këmbë, e kapën nga gjymtyrët e lartme, dhe e tërhoqën zvarrë. Kjo për të paktën 20 - 30 min”, ka kujtuar ai.

Sipas tij, protestuesi i lënduar, Agroni është dërguar në emergjencë mori infuzion, dhe në raport mjekësor e ka të shënuar lëndim të syve dhe të traktit të frymëmarrjes.
Molliqaj ka shpjeguar se janë të paktën 13 raste të ndrydhjes së gjymtyrëve.

“Nga raportet që kemi deri më tash janë ato të ndrydhjes se gjymtyrëve (duarve) dhe ndrydhje të qafës, lëndime të kokës, shpinës, lëndimi të rënda nga spray dhe gazi lotësjellës, i cili këtë herë ka shkaktuar shumë probleme duke qenë se është hedhur në sasi tepër të madhe dhe në hyrjen e pasme ku ka qenë një hapësirë tepër të ngushtë”, ka thënë ai.
Ai ka përmendur disa raste që thotë se i kanë evidentuar deri më tash.
1. Reshat Fetahu nga Qendra e Gjakovës ka ndrydhje në dorën e djathtë nga goditja me pendrek
2. Agron Kabashi ka kërkuar ndihme ne emergjence ne QKUK nga goditjet qe i ka pësuar ne shume pjese te trupit dhe sidomos nga shpëlarja e tepërt me spray.
3. Pajtim Havolli e ka dorën në gips nga goditjet dhe përdredhja e dorës gjatë arrestimit
4. Egzon Azemi i lënduar në shpinë nga goditjet
5. Kaltrina Zeka i ka rënë të fiket nga përdorimi i tepërt i sprejit
6. Lendita Sopi po ashtu e shpërlarë krejtësisht me sprej
7. Xhelal Shyti e ka dorën e lënduar nga perdredhja gjatë arrestimit
8. Samir Begu po ashtu e ka dorën e lënduar gjatë arrestimit
9. Ali Begiqi e ka të shpërthyer një kapilarë në ballë nga goditja e policit me çizme në ballë
Rastet më lart kanë qenë të gjithë në emergjencë.

Të tjerët janë të lënduar por nuk janë paraqitur tek mjeku:
1. Albion Rexhepi i lënduar nga goditja me pendrek në bel.
2. Shqipe Baftiu ka humbur vetëdijen nga përdorimi i tepërt i sprejit
3. Valon Hoti e ka të lënduar dorën
4. Agim Lajthiza i ka të lënduar të dy krahët

Ka edhe dhjetëra që janë të lënduar rëndë nga spreji. Mund të themi me përgjegjësi të plotë se krahasuar me raste të tjera përdormi i sprejit ka qenë ekstremisht më i lartë. Në ditët në vijim do të paraqesim një raport të plotë të gjendjes së tyre.

Policia ndërkaq, kishte njoftuar se janë të paktën 21 efektivë police që janë lënduar gjatë intervenimit të kësaj proteste/Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›