VV: Përmes vetëdijesimit masiv, ndryshimi bëhet i mundshëm

Qendra e Vetëvendosjes në Prishtinë mbajti takim me aktivistë për të diskutuar rreth pushtetit lokal. Duke folur për qeverisjen në komunën e Prishtinës, anëtari i kryesisë së VV-së, Dardan Sajdiu tha se kjo qeverisje nuk dallon aspak nga qeverisja qendrore. “Nuk ekziston asnjë dallim mes qeverisjes qendrore dhe asaj lokale. Për shembull, 1/5 e buxhetit të Republikës së Kosovës shkon në asfalt, e po ashtu 1/5 e parave të buxhetit të Prishtinës shkon në sheshe”, tha Sejdiu, duke shtuar se dallimi i vetëm është në shumën e mjeteve që i menaxhojnë, e jo në mënyrën se si i menaxhojnë, thuhet në komunikatën e VV-së.
Visar Ymeri tha se përfaqësuesit e popullit s'mjafton të jenë thjesht përfaqësues, por edhe përfytyrues të së mirës së përgjithshme. “Ne nuk jemi veç përfaqësues, në duhet të jemi përfytyrues të interesit të përgjithshëm të Kosovës dhe të popullit të Kosovës. Pra, jo vetëm ta përfaqësojmë aty qytetarin si zë ose si angazhim, por duhet ta përfytyrojmë atë që është e mirë për popullin e Kosovës kolektivisht”, tha Ymeri, duke shtuar se aty jemi për t’ia bërë jetën më të mirë qytetarit, e jo për ta shfrytëzuar atë institucion për interesa personale apo si një vend ku veç tentojmë e pastaj heqim dorë.
Kryetari i VV-së, Albin Kurti tha se duhet të përfytyrojmë një Kosovë tjetër, një shtet të ri shqiptar, por njësoj edhe një qytet të ri të Prishtinës. “Pra, pikënisja jonë nuk është fragmenti por tërësia, prandaj edhe fitorja do të jetë për tërësinë, ku pastaj pjesët fitojnë në mënyrë deduktive, dhe jo thjesht të prodhojmë ngjarje, që më shumë iu ngjajnë ritualeve, të fragmentuara e të copëzuara, me idenë se ashtu do ta mashtrojmë qytetarin për tërësinë. Pra, ne duhet ta parafytyrojmë, duhet ta imagjinojmë kolektivisht një qytet të ri, i cili më pastaj në ribënë neve kryeqytetin”, theksoi Kurti.
Duke folur se çfarë janë shqetësimet e qytetarëve dhe ballafaqimi me to, nënkryetari Shpend Ahmeti tha se problemet ekonomike, varfëria e papunësia janë padyshim problemet me të cilat po përballen çdo ditë e më shumë qytetarët. Sipas tij, koncepti i Vetëvendosjes për një shoqëri të drejtë e mirëqenie do të fitojë kur secilit nuk "do t'i dhimbsemi" por, atëherë kur secili të vetëdijesohet për gjendjen e rëndë ekonomike në vend, sepse vetëm përmes vetëdijesimit masiv, ndryshimi bëhet i mundshëm. /Indeksonline/