E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lambrinidis e Fratini takime në Tiranë, AK i pret me protesta

TIRANE- Ministri i Jashtëm grek Stavros Lambrinidis, dhe homologu i tij italian Franko Fratini mbërritën në Shqipëri sot rreth orës 10:30 ku nisën një takim me ministrin tonë të Jashtëm Edmond Haxhinasto. Në këtë takim diplomatët europianë kanë shprehur mbështetjen e tyre për integrimin e Shqipërisë, por kanë kërkuar prej saj angazhim konkret për përmbushjen e reformave. Ministrat kanë takuar deri në orën 13:00 edhe Berishën me Ramën, pritet takimi me Topin.

Por ardhja e tyre për t’i dhënë Shqipërisë sinjalet e duhura me qëllim integrimin në BE, duket se nuk është pritur mirë nga aktivistët e Aleancës Kuq e Zi. Dhjetra aktivistë u grumbulluan përpara dyerve të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, për të reaguar kundër bisedimeve me dyer të mbyllura të ministrave të jashtëm Haxhinasto dhe Lambrinidis.  Ata mbanin në duar një banderolë gjigande në të cilën shkruhej: “Jo pazarit grek me çështjet kombëtare”.

Këta të fundit kanë protestuar kundër ministrit të jashtëm grek Lambrinidis, i cili pak ditë më parë i bëri thirrje Tiranës zyrtare të pranojë marrëveshjen e ujrave me shtetin helen. Pikërisht këto deklarata aktivistët e AK, i interpretojnë si presione të palës greke, për tu bërë avokatët e shqiptarëve në BE, por që nga ana tjetër kërkojnë favore territoriale. “Qeveria shqiptare nuk duhet të shesë kufirin, regjistrimin e popullsisë dhe çështjen Çame në këmbim të avokatisë greke në BE”, deklaroi përfaqësuesi i Aleancës Kuq e Zi Sokol Koçiaj.

BERISHA-MINISTRAVE: BASHKËPUNOJ ME OPOZITËN PËR INTEGRIMIN
Ora 13:21- Zyra e shtypit të kryeministrisë zbardh takimin mes Berishës e dy ministrave të Jashtëm Franko Fratini dhe Stavros Lambrinidis. Të dy ministrat citohen të kenë deklaruar se “Italia dhe Greqia, janë jo vetëm fqinjë të mirë por dhe miq dhe aleatë të mëdhenj të Shqipërise, në procesin e integrimit evropian.
Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha vlerësoi se kjo vizitë është një ndihmë e madhe dhe i siguroi të dy ministrat se “projekti i integrimit evropian ka qenë, është dhe do të jetë, projekti më madhor për shqiptarët dhe e tërë puna e qeverisë dhe e institucioneve shqiptare është e fokusuar në realizimin e këtij projekti dhe në plotësimin e 12 prioriteteve të përcaktuara në Opinionin e Komisionit Evropian.

Ai shprehu vullnetin e qeverisë dhe mazhorancës, për të bashkëpunuar me opozitën në përmbushjen me konsensus të të gjitha prioriteteve, si dhe për të votuar bashkërisht të gjitha ligjet apo vendimet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Kryeministri theksoi se “bashkëpunimi dhe jo bllokimi, janë mënyra më e mirë për çuarjen përpara të interesave të vendit dhe integrimin e tij në BE“, ka thënë Berisha.

FRATINI E LAMBRINIDIS TAKOJNË BERISHËN E RAMËN
Ora 12:52- Ka përfunduar takimi mes dy kryediplomatëve europianë, Franko Fratinit e Stavros Lambrinidis me liderin e opozitës Edi Rama, ndërsa më herët ai është takuar me kryeministrin e vendit Sali Berisha, edhe pse takimet nuk janë zhvilluar sipas orareve të paracaktuara.

Mësohet se në të dyja këto takime ministrat shqëroheshin nga Ambasadori Sequi. Lideri i opozitës Edi Rama ka qënë i shoqëruar në këtë takim nga Ditmir Bushati dhe Arta Dade.

Dy ministrat e Jashtëm i kanë kujtuar liderëve politikë rëndësinë e plotësimit të detyrimeve ndaj Brukselit i cili ka identifikuar 12 prioritete të cilat duhen zbatuar, dhe të kërkojnë që vendi të shfrytëzojë në maksimum kohën e mbetur. Prioritetet kryesore lidhen me kriteret politike ku përfshihen edhe zgjedhjet. Palëve pritet tu kërkohet një angazhim i shpejtë për plotësimin e rekomandimeve të misionit të vëzhguesve ndërkombëtar pas zgjedhjeve të 8 majit.

LAMBRINIDIS-FRATINI: JU MBËSHTESIM NË BE, POR BASHKËPUNONI
Ora 11:26- Zyra e shtypit e ministrisë së Jashtme zbardh takimin e ministrave Fratini e Lambrinidis me homologun e tyre shqiptar Edmond Haxhinasto. Të shoqëruar në këtë takim nga ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Etore Sequi, diplomatët kanë ndërmarrë misionin e përbashkët, të koordinuar me BE, për t’i dhënë një shtysë procesit të integrimit europian të Shqipërisë .

Gjatë këtij takimi ministrat kabë shprehur mbështetjen e tyre për integrimin e saj në BE, ndërsa kanë kërkuar rezultate konkrete nga pala shqiptare. Lambrinidis e Fratini i kanë bërë apel politikës shqiptare “të angazhohet për reformat, pasi Shqipëria duhet të ketë progres të gjithanshëm”.

Në orën 10:45 dy ministrant kanë parashikuar një takim me kryeministrin Berisha, ndërsa afërsisht një orë më vonë ata do të takohen me kryesocialistin Edi Rama (11:30). Nga selia rozë ata pritet t’i drejtohen Presidencës, ku do të zhvillojnë një takim me kreun e shtetit Bamir Topi në orën 12:15, e më pas të dy ministrat do zhvillojnë një konferencë të përbashkët shtypi.

SITUATA POLITIKE,  SOT NË TIRANË LAMBRINIDIS E FRATINI
Ora 08:10- Mediat greke thonë se ministri i Jashtëm grek Stavros Lambrinidis, kishte propozuar që BE-ja të marrë një rol më aktiv në vend duke bërë vizita politike të nivelit të lartë në Tiranë, për t'i dërguar në mesazhin e duhur udhëheqjes politike shqiptare për maturim dhe përkushtim në procesin e reformave në perspektivën e pranimit të Shqipërisë në BE.

Të dy Ministrat e Jashtëm do të takohen me Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha, Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto dhe liderin e opozitës Edi Rama. Vizita bëhet një muaj para publikimit të raportit të vlerësimit vjetor të Komisionit për ecurinë e reformave në Shqipëri, të cilat do të diskutohen nga Këshilli i BE-së në dhjetor.
(a.j/m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›