VV: RTK-ja e Hashimit

Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media ka shprehur shqetësimin për pavarësinë editoriale të Radio Televizionit Publik të Kosovës.
“Sot gjatë kohës që Kuvendi i Kosovës zhvillonte punimet dhe diskutonte për një çështje shumë të rëndësishme siç është ajo e plaçkitjes së pensioneve nga ana e Serbisë, me një vendim editorial të çuditshëm Radio Televizioni Publik vendos të transmetojë drejtpërdrejtë nga ndërtesa e Qeverisë një konferencë të thërritur aty për aty nga Kryeministri Hashim Thaçi”, thuhet në reagimin e VV-së.
Sipas VV, RTK-ja si televizion publik është e detyruar me ligj dhe me përshkrim të misionit të saj që t’i shërbejë interesave të publikut.
“ Nuk ka çështje më me shumë interes për qytetarët e Kosovës sesa plaçkitja e kontributit të tyre jetësor nga ana e shtetit me të cilin po negocion Kryeministri. Po ashtu dhe të vendimit që do të marrë Kuvendi për ta ndryshuar gjendjen për këtë padrejtësi të madhe të shtetit serb.
Mirëpo në vend të transmetimit të debatit që po zhvillohet nga përfaqësuesit e popullit, RTK vrapon të dërgojë kamerat në zyrat e Kryeministrit, madje në kohë rekord”, thuhet më tej në reagim./Indeksonline/