VV: Shqiptarët po i rreh Gruevski

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar për dhunën që po iu ushtrohet shqiptarëve në Maqedoni.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! i dënon ashpër këto veprime kriminale të papranueshme. Ne konsiderojmë se sulme të tilla po ndodhin për shkak të atmosferës politike që ka krijuar pushteti maqedon në këtë shtet”, thuhet në komunikatën e VV-së.
Ata kanë përmendur rastet e raportuara të rrahjes brutale të shqitarëve.
“Në vitin 2012 dhe 2013, albanofobisë maqedonase, diskriminimit social dhe përçmimit kulturor që manifeston pushteti maqedon kundër shqiptarëve, iu shtua edhe një dukuri që tashmë ka marrë formë konsistente: rrahja e të rinjve shqiptarë nga banda të organizuara. Këtu e një vit më parë (8 mars 2012) 15 nxënës shqiptarë nga fshatrat Çiflig dhe Seta Petkë të Karshiakës u rrahën brutalisht nga një grup i përbërë prej 20-30 maqedonësh në lagjen Kisela Voda të Shkupit. Dy ditë përpara ndërrimit të motmoteve, nxënësit maqedonë të shkollës ‘Vlado Tasevski’ sulmuan dhe lënduan nxënësit shqiptarë të shkollës ‘Marija Kiri Sklodovska’. Kurse me të filluar viti 2013 (më 4 janar) një grup i madh të rinjsh maqedonë rrahën mizorisht 4 të rinj shqiptarë 16 vjeçar në lagjen Aerodromi të Shkupit, e dominuar nga maqedonët. Të rinjtë shqiptarë po shkonin që ta jepnin testin e ndihmës së shpejtë, e nevojshme për marrjen e patent-shoferit”, kujton kjo lëvizje përmes një komunikate.
Sipas tyre, kjo dukuri po merr përmasa shqetësuese dhe, me të hyrë në vitin 2013.
“Në ditën e djeshme, një grup i përbërë prej protestuesish maqedonë, të cilët ishin mbledhur për ta kundërshtuar zgjedhjen e Talat Xhaferit si ministër të mbrojtjes i Maqedonisë, dogjën flamurin shqiptar dhe ia mësyn Urës së Gurit. Çdo shqiptar që e panë e rrahën dhe e keqtrajtuan fizikisht”, thuhet në komunikatë.
Ata kanë akuzuar edhe udhëheqësit shqiptarë për këtë gjendje.
“Kurse, në anën tjetër, politika zyrtare shqiptare i ka lënë shqiptarët nën mëshirën e bandave kriminale maqedone, prandaj protesta duhet t’iu drejtohet atyre po ashtu. Krejt çka po sheh politika zyrtare shqiptare është pushteti dhe privilegjet personale që u pikin duke qëndruar nën hijen e një pushteti antishqiptar”, thuhet në këtë komunikatë./Indeksonline/