MPJ i thërret maqedonasit e shqiptarët për maturi

Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës ka reaguar kundër dhunës në Maqedoni.
Në komunikatën e lëshuar në mbrëmje të kësaj ministrie, thuhet se MPJ u bën thirrje të dyja palëve për maturi dhe qetësi për të shmangur tensionet etnike.
“Po ashtu u bëhet thirrje autoriteteve zyrtare të Shkupit që të ndërmarrin masa të vendosura për zbulimin dhe dënimin e autorëve të akteve të tilla të dhunës dhe të incidenteve me sfond etnik, duke vlerësuar se forca e ligjit duhet të veprojë ndaj kujtdo që kryen apo mbështet akte të tilla“, thuhet në këtë komunikatë.
Komunikata është lëshuar vetëm pas orës 19:30.
„Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës konsideron se është në interesin e Maqedonisë që të kultivohet fryma evropiane, toleranca dhe bashkëpunimi efektiv ndërmjet të gjitha forcave të shoqërisë, për zgjidhjen e të gjitha kontesteve të brendshme, ngase kjo është rruga e vetme për ruajtjen e paqes dhe stabilietit të Maqedonisë dhe të rajonit si një parakusht për integrimin në strukturat evropiane dhe euroatlantike“, përfundon kjo komunikatë./Indeksonline/