VV: Thaçi e nënshkroi autonominë për Veriun
“Në këtë takim ata janë dakorduar edhe për ndarjen e parasë publike të Kosovës. Edhe pse nuk është thënë zyrtarisht, duket se marrëveshja është që mallrat që hyjnë në Kosovë të mos doganohen në kufirin verior me Serbinë por në Terminalin doganor në Mitrovicë. Ndërkohë është përmendur mundësia që serbët që jetojnë në veri të jenë të liruar nga taksa doganore. Po ashtu është raportuar se një përqindje e TVSh-së së mbledhur t’u shkojnë strukturave serbe në veri. Nëse kjo është marrëveshja atëherë kështu i bie që tash strukturat ilegale të Serbisë të financohen edhe nga paraja publike që kanë qenë dashur të jetë e hyrë në Buxhetin e Kosovës. Për më tepër kur një pjesë e territorit lirohet nga një tatim i caktuar, e në këtë rast taksa doganore, atëherë kjo pjesë e territorit merr atribute tjera prej pjesëve të tjera të territorit, merr veçantinë e vet territoriale jashtë rregullave të përgjithshme shtetërore të pjesës tjetër të vendit. Kjo është pra autonomia. Ta ndash veriun e vendit nga sistemi fiskal i Kosovës nënkupton se ua lënë strukturave atje ta përcaktojnë sistemin e vet fiskal. Duke e pasur parasysh se strukturat politike atje janë të Serbisë, kjo i bie që sistemi fiskal atje do të jetë i Serbisë. Pra, që kufiri realisht po zhvendoset në lumin Ibër”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.