VV ankohet sërish për dhunën e tepruar të policisë

Lëvizja Vetëvendosje, nëpërmes një komunikate për media, janë ankuar edhe një herë , sipas tyre, për dhunën e tepruar të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, njësisë speciale dhe sigurimit të zyrtarëve dhe qeveritarëve ndaj aktivistëve të tyre.
Përveç dhunës, sipas “Vetëvendosjes”, aktivistë të shumtë e kanë pësuar edhe nga përdorimi i sprejit dhe gazit lotsjellës. Sipas tyre, këto dy materie, janë përdorur jashtë çdo rregulli dhe janë përdorur në distanca të afërta, në sasi të mëdha. Në këtë komunikatë, janë bashkangjitur edhe emrat e aktivistëve që kanë marrë lëndime gjatë arrestimit, ku përfshihen edhe rastet më të rënda, si rasti i aktivistit Islam Islami, ku thuhet se nga goditjet në gjoks, ka pësuar edhe sulm në zemër. Islami gjendet i shtrirë në QKUK, ndërsa në mesin e 68 aktivisteve të arrestuar, lëndime ka marrë edhe nënkryetarja e këtij subjekti politik, Aida Dërguti./Indeksonline/