E Shtunë, 31 Tetor 2026

VV, letër Deltenres për RTK-në

Kryetari i Grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri, krahas nismave të tjera institucionale në vend, në emër të Grupit parlamentar i ka dërguar një letër shpjeguese Drejtores së Përgjithshme të EBU-së (European Broadcasting Union) në lidhje me situatën shqetësuese në të cilën ndodhet Radio Televizioni Publik në Kosovë.

Me poshtë mund të lexoni letrën:

E nderuara znj. Deltenre,

Duke ju drejtuar këtë letër do të donim t’i shprehnim shqetësimet tona tejet serioze lidhur me pavarësinë e transmetuesit publik të Republikës së Kosovës, RTK. Ne kërkojmë që Unioni i Transmetuesve Evropianë të ndërmarrë masa konkrete për të kërkuar llogaridhënie financiare dhe paanësi politike në RTK.
Në tetor të vitit 2009 Jean Reveillon, që ishte atëherë Drejtor i Përgjithshëm i EBU-së, i shkroi letër Kryeministrit të Kosovës duke e akuzuar për "një proces të pandërprerë ndërhyrjesh politike dhe ekonomike" në RTK. Raportohet se në letër ai kishte thënë: “Presioni nga qeveria juaj e ka shndërruar RTK-në nga të qenit një ofrues i balancuar lajmesh në një krah medial të partisë në pushtet dhe në funksion të interesit tuaj si kryeministër. Zërat kritikë ose alternativë janë shtypur". Ky proces është intensifikuar edhe më shumë. Ashtu si shumë institucione dhe ndërmarrje të tjera publike në vendin tonë, RTK-ja është kapur nga rrjeti klientelist i Qeverisë. Zyrtarë të emëruar nga Qeveria e shfrytëzojnë RTK-në për përfitime personale; dhe në këmbim, ata e vënë RTK-në shërbim të Qeverisë.
Ne besojmë fuqimisht se transmetuesi i vetëm publik i Kosovës, RTK, është i komprometuar politikisht dhe moralisht. Shqetësimet tona i ndajnë edhe partitë e tjera opozitare në Kosovë, si dhe shoqëria civile. Në fakt, në vitin 2011 edhe Raporti i Progresit i Komisionit Evropian kishte konkluduar se "pavarësia editoriale e transmetuesit publik-RTK nuk është e garantuar."

1) Anësia politike

Emisionet e lajmeve në RTK rregullisht promovojnë interesat e aleancës në pushtet si në përmbajtje të reportazheve, ashtu edhe në renditjen e lajmeve. Anshmëria proqeveritare është e dukshme në temat dhe në përbërjen e debateve politike dhe në intervistat e shfaqura në RTK. Sipas monitorimit tonë për vitin 2012, subjekti ynë politik, i cili është grupi i tretë më i madh në kuvend, është i përfaqësuar mesatarisht vetëm 1.5 herë në muaj, në programet politike të RTK-së rreth 40 në muaj, duke përjashtuar lajmet. Për më tepër, RTK-ja është bërë mjet për promovimin e anëtarëve të Shërbimit Informativ të Kosovës, SHIK, të lidhur me partinë në pushtet PDK. Vjeshtën e kaluar, pas njoftimit se Kadri Veseli, ish-kreu i SHIK-ut, do të aderonte në PDK, RTK-ja i kishte dhënë atij hapësirë disproporcionale në emisionet e saj. Për më tepër, në lajmet qendrore të RTK-së, vet redaksia e Lajmeve i kundërvihet konferencave tona për shtyp me deklarata më të hershme të Qeverisë të cilat RTK nxjerrë nga arkivi. Pra nuk është se e paraqet reagimin e qeverisë karshi deklaratave tona, por konstrukton reagim nga arkivi për t’iu kundërvënë asaj që e kemi thënë ne.
Një arsye për anshmërinë e RTK-së është varësia e saj nga Qeveria për financim dhe për borxhet e saj të mëdha. Aktualisht Qeveria i jep asaj fonde nga Buxheti i Kosovës, nëpërmjet Kuvendit të Kosovës, sa për të ruajtur iluzionin e ndarjes. Buxheti i RTK-së ishte më pak se 10.5 milionë euro në vitin 2010. Në vitin 2011 ai ishte shkurtuar në 8 milion euro. Në vitin 2011 Auditori raportoi se deficiti i saj ishte mbi 2 milion e gjysmë euro. Raporti i Progresit i BE-së në vitin 2011 thoshte se "financimi vetëm nga buxheti ka dëmtuar rëndë pavarësinë e RTK-së."

2) Korrupsioni

Bashkëpunimi ndërmjet RTK-së dhe Qeverisë është gjithashtu në funksion të korrupsionit.
Raportet e Auditorit Gjeneral për RTK-në në vitin 2010 dhe 2011 zbulojnë fakte të zymta. Dy auditimet kishin nxjerrë në shesh parregullsi të rënda financiare në prokurim dhe faturim për reklama dhe programe, të mjaftueshme për të nisur menjëherë hetim penal. Auditori zbuloi se RTK nuk mban asnjë regjistër të pajisjeve dhe resurseve të saj dhe nuk bën auditim të brendshëm. Në vitin 2011 Auditori i Përgjithshëm kishte përsëritur shumë prej rekomandimeve nga viti 2010, pasi asgjë nuk ishte ndërmarrë në lidhje me ato parregullsi.
RTK-ja ka treguar vazhdimisht mungesë përgjegjësie në Parlament. Më 29 korrik 2011 Kuvendi i Republikës së Kosovës në vendimin (Nr. 04-V-147) i kishte kërkuar RTK-së që të ndërmerrte veprime konkrete brenda një periudhe prej tre muajsh, pas gjetjeve të Auditorit të Përgjithshëm. Gjithashtu, nga RTK-ja ishte kërkuar që të raportonte tek Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Asnjëra nuk ka ndodhur. Në janar të vitit 2013 kryetari i këtij Komisioni, Ali Sadriu, konfirmoi se RTK-ja nuk ka zbatuar vendimin e Parlamentit.
Anëtarët e sindikatës së RTK-së kanë kërkuar dorëheqjen e drejtuesve të RTK-së pas reportazheve për korrupsion sistematik, fiksim çmimesh dhe nepotizëm në RTK. Më 9 shtator 2012 Fadil Hoxha, kryetar i Sindikatës së Pavarur të RTK-së shkroi: "Në deklaratat e saj publike Sindikata e RTK-së ka ngritur vazhdimisht shqetësimet e veta rreth keqmenaxhimit të buxhetit të RTK-së, duke kërkuar hetim nga Kuvendi i Kosovës, si themelues i saj. Ai shtoi: "Ne kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të atyre që përmenden më së shumti në materialet e botuara, posaçërisht të udhëheqjes së RTK-së. "

3) Bordi i ri i RTK-së dhe Drejtori

Në Kuvendin e Kosovës ne kemi shprehur këtë javë indinjatën tonë për manipulimin e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të bordit të RTK-së. Anëtarët e bordit të propozuar nga PDK-ja dhe të votuar nga koalicioni qeveritar janë qartazi të lidhur politikisht. Ndërkohë, derisa Kuvendi ishte duke votuar për këta anëtarë të rinj, bordi i pakompletuar i RTK-së u takua dhe e zgjodhi Mentor Shalën si drejtor të RTK-së.
Mentor Shala ishte emëruar si zëvendësdrejtor i RTK-së në vitin 2010. Ai ishte bërë kështu pjesë e menaxhmentit të RTK-së gjatë periudhës në të cilën Auditori i Përgjithshëm kishte gjetur raste të korrupsionit dhe nepotizmit. Si zëvendësdrejtor ai gjithashtu mban përgjegjësi për degradimin e pavarësisë editoriale të RTK-së. Kjo e bën atë të komprometuar në mënyrë të pakthyeshme. Për më tepër, sipas reportazheve mediale supozohet se ai është përfshirë në fiksim çmimesh në RTK në dobi të një kompanie në të cilën ai është aksionar. Nëse kjo është e vërtetë, kjo paraqet konflikt të drejtpërdrejtë interesi, duke e bërë atë drejtor të RTK-së dhe klient të RTK-së.
Ne shpresojmë se EBU do t’i marrë parasysh shqetësimet shumë serioze që i kemi ngritur këtu, dhe ta ndihmojë popullin e Kosovës për ta mbrojtur lirinë e shtypit, e cila është jetike për konsolidimin e sovranitetit dhe demokracisë së vendit tonë. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›