VV prezanton premtimet e parealizuara nga qeverisja lokale

Drejtuesit dhe aktivistët e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje, duke u udhëhequr nga kandidati për kryetar komune të Gjilanit, Ismajl Kurteshi, para objektit të Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, realizuan një aktivitet të larmishëm të prezantimit të të gjitha premtimeve të parealizuara nga qeverisja lokale e qendrore e PDK-së.
Nën sfondin e një pankarte me dimensione të mëdha, ku ishin të shkruara në dy kolona vertikale premtimet dhe dështimet e qeverisjes së PDK-së dhe kryetarit të komunës, Qemajl Mustafës, për secilin premtim të dhënë folën dhe prezantuan dhjetëra aktivistë të Qendrës.
Prezantimin e dështimeve të deritashme të pushtetit aktual në Gjilan, e hapi Ismajl Kurteshi, i cili u ndal në mega-premtimet e parealizuara si: 100 milion euro investime kapitale, 4 mijë vende të reja pune dhe rregullimi i lumit Mirusha. “Në vitin 2009 janë premtuar 100 milion euro investime kapitale për 4 vitet në vijim, por bazuar në dokumentet e komunës deri në fund të mandatit nuk do të investohen as 15 milion euro.
Komuna investim e ka llogaritur edhe tjetërsimin e pronës publike të ish kadastrit në pronë private, por rezultat i këtij ‘investimi’ është qeraja marramendëse dhe kushtet katastrofale të punës së kësaj drejtorie në një objekt privat. Investim është llogaritur edhe prishja e çerdhes së fëmijëve “Ardhmëria I”, ku si rezultat i këtij investimi është një çerdhe më pak në Gjilan dhe pagesa e qerasë për çerdhen. Investime llogariten edhe shportat e mbeturinave që komuna i ka blerë për kompaninë publike “Higjieno-teknika”, e cila pas këtyre investimeve është dhënë në koncesion. Në tërë këtë proces Kryetari i Komunës është involvuar tejmase” – tha Kurteshi.
Ai ka ironizuar që investime po llogariten edhe shumë projekte të lëna përgjysmë si: rrjetet e ujësjellësve në shumë fshatra të komunës nga të cilat nuk rrjedh asnjë pikë ujë; projektet e papërfunduara si: Biblioteka Regjionale, Sahat-Kulla, Varrezat e Dëshmorëve, e shumë rrugë e trotuare, shkolla etj.
Nevzad Isufi përkujtoi dështimin tjetër të qeverisjes lokale mbi mungesën e pajisjeve me teknologji dhe mjete të reja digjitale dhe laboratoret në shkolla. Nafije Mehmeti kritikoi për mospërmbushjen e premtimit mbi planet rregullative urbane. “Kryetari Mustafa dhe kjo qeverisje e PDK-së pati premtuar se do të respektohen planet rregullative urbane, por këto plane sapo janë bërë, janë ribërë dhe janë shpenzuar shuma të mëdha parash për të njëjtat projekte” – u shpreh aktivistja Mehmeti./Indeksonline/