VV shpërndan gazetën që u zhduk nga tregu, fliste për keqpërdorimet

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! në Gjakovë, kanë shpërndarë qindra faqe të fotokopjuara të gazetës “Zëri” për qytetarët nëpër rrugët e këtij qyteti, pasi numri i kësaj gazete ishte zhdukur nga tregu në orët e hershme të mëngjesit, në Gjakovë dhe përreth saj.
“Ne si qendër e Lëvizjes Vetëvendosje! Gjakovë shpërndajmë këto kopje të gazetës sepse mendojmë që Komuna e Gjakovës ka bërë me qellim pengimin e informimit të qytetarëve, duke mos dashur t’i informojë qytetarët lidhur e korrupsionin e bërë nga kjo komunë. Pasi që nuk u gjend në asnjë pikë të shitjes gazeta ‘Zëri’ ne vendosëm që qytetarët të mos mbesin të painformuar dhe shpërndamë kopjet e gazetës”, kanë thënë aktivistë të VV-së.
"Akti mjeran i Kryetarit Lekaj, nuk mund ta shtyjë pafundësisht atë çfarë është e sigurtë, ndëshkimin nga qytetarët dhe nga ligji për të gjitha dëmet që i ka shkaktuar deri më tash Komunës së Gjakovës, qytetarëve, institucioneve publike dhe parave dhe pronave publike", thuhet në reagimin e Qendrës së Gjakovës së LVV-së.
Gazeta Zëri ka raportuar sot për më shumë se 130 prona të paluajtshme në Gjakovë e rrethinë që dyshohen se janë tjetërsuar që nga paslufta në Kosovë./Indeksonline/