Vaji i Kserskit dhe gjama e burrave shqiptarë

Refleksioni i regjisorit Bekim Lumi para studentëve të Akademisë së Arteve mbi gjamën e burrave tek "Persët" e Eskilit dhe gjamën në Kanunin e Lekë Dukagjinit. Koreografia e ritualit, gjuha e shenjave dhe gjendja eterike që mpin dhimbjen
Studentët e Akademisë së Arteve merrnin pjesë dje në sallën Black Box për të dëgjuar ligjëratën "Eskili dhe rituali i gjamës shqiptare" mbajtur nga regjisori dhe pedagogu nga Prishtina Bekim Lumi. Studentët ishin dëgjues, por morën pjesë edhe në ilustrimin në skenë për gjamën e burrave në tragjedinë "Persët" të Eskilit.
Lumi analizonte lëvizjet dhe shenjat e vajit të korit të burrave dhe Kserksit te Persët dhe i ballafaqonte me nene të ligjit "Deka-Gjama e burrave" nga Kanuni i Lekë Dukagjinit. Kuja, klithja, ofshama, shkulja e flokëve, goditja e kraharorit që gjenden në fragmentin e tragjedisë së Eskilit, sipas Lumit janë të njëjta me ato që kodifikon Kanuni për gjamën e burrave.
Lumi e vë theksin tek koncepti koreografik i ritualit dhe tek gjendja e transit gjatë së cilës burrat gërvishtin fytyrën, godasin kraharorin me grushte.
Në këtë bisedë për tragjedinë, regjisori flet edhe për realizimin e tragjedive në Kosovë dhe Shqipëri sipas ca skemave dhe stereotipeve.
Bekim Lumi ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë për regji teatri në klasën e profesor Agim Qirjaqit në (1992-1996), pasi kishte përfunduar studimet për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Pas vitit 1998 ai punoi regjisor i pavarur.
Atë vit themeloi në Mynih kompaninë teatrale "Loja", ku janë realizuar shfaqjet: "Zogu i shqiptarit dhe zogu i gomarit" (tragjikomedi sipas teksteve të Atë Gjergj Fishtës), "Për gruan dhe tokën e jap edhe kokën" (komedi sipas teksteve të Çehovit), "Kësulëkuqja në botën e minave" (shfaqje me kukulla).
Në teatrin "Dodona" dhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës ka realizuar: "Mësimi" i Eugene Ionescos (2002), "Galani" i Slaëomir Mrozekut (2003), "Arushani dhe Fejesa" i Çehovit (2005), "Shtëpia e Bernarda Albës" Federico Garcia Lorcas (2006) dhe "Çifti Martin" përsëri nga Ionesco (2008).
Është profesor i regjisë dhe teorisë së regjisë dhe aktrimit në Fakultetin e Arteve të Prishtinës, themelues dhe kryeredaktor i revistës së teatrit "Loja".
Aktualisht është duke përgatitur një tragjedi me motive nga veprat e Shakespeare-it, Eskilit, nga "Epi i Gilgameshit" dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit.
Përse i jeni referuar Eskilit për këtë ligjëratë dhe pse pikërisht "Persët"?
"Persët" është një nga tragjeditë më të mira të Eskilit, tek e cila çuditërisht ekziston ky fragment i rrallë, i cili përkon me ritualin e vjetër të gjamës shqiptare. Si krijues teatri jam i interesuar mbi këtë fenomen. Euripidi, për shembull, nuk e ka ritualin e gjamës, të shprehur në këtë formë si Eskili.
Në çfarë momentesh takohet vaji i Kserksit me vajin e ritualit shqiptar të burrave?
Në këtë fragment shihen të gjitha veprimet e detajuara koreografike, ritualeske, që janë të ngjashme me veprimet që kryejnë malësorët shqiptarë në veri të Shqipërisë gjatë ritualit të gjamës.
Kemi goditjen e ballit dhe gjoksit me grushte, mënyrën sesi thërrasin mbi të vdekurin, si përgjakin fytyrën e tyre, si hedhin gjakun mbi trupin e të vdekuri, si e godasin tokën me grushte apo me shuplakat e tyre dhe si e përkëdhelin atë. Këto veprime koreografike në formë pak a shumë të ngjashme i gjejmë tek fragmenti "Persët".
Përse quhet koreografi?
Ato janë lëvizje të caktuara, gjeste të gjymtyrëve, të trupit që shprehin shenja të caktuara dhe kanë një kuptim. Lëvizje koreografike janë edhe goditja e ballit, e gjoksit, mënyra sesi e vendosin këmbën e majtë, apo të djathtë përpara, përkulja e trupit, vendosja e duarve në bel, që shoqërohen me vokal, me thirrje të malësorëve që lajmërojnë se në katund ka vdekur dikush.
Të gjitha këto janë një konstrukt, një përmasë, një ekzemplar i mrekullueshëm, i cili realisht flet për pikëtakimet e kulturës tradicionale shqiptare me kulturën antike greke.
Kaq mjafton që burrat të kalojnë në gjendje transi?
Burrat që kryejnë ritualin e gjamës gërvishtin fytyrën me thonj dhe e përgjakin atë. Ata nuk ndjejnë dhimbje sepse kanë kaluar në një gjendje transi.
Ligjërata ishte përgatitur për për këtë rast apo është një pjesë e një studimi?
Ky është një studim i vazhdueshëm që ka të bëjë me fenomenin e pikëtakimeve në kulturën tradicionale shqiptare dhe me botën antike greke, me autorë si Eskili, Euripidi, Sofokliu, Homeri etj.
Jam marrë edhe me një studim tjetër që ka të bëjë me pikëtakimet që kanë baladat e rinjohjes në traditën popullore shqiptare. Këto i kam krahasuar me analizat që bën Aristoteli tek "Poetika". Në 5 forma rinjohje që gjejmë në tragjeditë antike greke, 4 janë në baladat popullore të rinjohjes tek shqiptarët.
Është një pikëtakimi e çuditshme dhe interesante. Këto janë dëshmi se kultura shqiptare është një kulturë e vjetër, e cila rrënjët e veta i ka po aq të vjetra sa antikiteti grek. Por ndryshe nga grekët që e kanë shfaqur këtë kulturë përmes tragjikëve të tyre, tek ne ka mbetur primitive, në formën e letërsisë orale, por që edhe si e tillë ajo dëshmon për pikëtakimet dhe lidhjet e vjetra kulturore të dy nga popujt më të vjetër të Gadishullit Ballkanik.
Studimin e kam botuar në revistën "Loja", të cilën e nxjerrim një herë në vit në Prishtinë.
Ju çfarë përvoje keni me inskenimin e tragjedive?
Deri tani nuk kam punuar tragjedi greke. Krijuesit i nevojitet pjekuria për të vënë në skenë një tragjedi greke. Deri më tani kam inskenuar kryesisht veprat e Joneskos, Mrozhekut, Garcia Lorkës, Çehovit dhe disa autorëve të tjerë. Pas një përvoje 14-vjeçare kam mbërritur në një farë mënyre të krijoj pjekurinë time artistike, kam vendosur të merrem me Shekspirin dhe me antikitetin grek.
A mund të dilni në disa përfundime për propozimet regjisoriale në teatër këtu në Shqipëri dhe në Kosovë?
Trajtohen në mënyrë tradicionale, në mënyrë konvencionale, steriotipike, pa ide të reja regjisoriale. Gjithë problemi është se si mund të trajtosh në kontekst të shek. XXI, një kor antik. Çfarë kuptimi ka kori i tragjedive antike greke për sensibilitetin e njerëzve të shekullit tonë?
Nuk është puna që ta marrim ashtu siç e ka thënë autori dhe ta nxjerrim në skenë. Për shembull korin e "Persëve" të Eskilit unë do ta trajtoja si një ritual të gjëmës shqiptare.
Nuk do të orientohesha në skematizmin me të cilin janë mbushur skenat teatrore të botës shqiptare.
Shqiptarët kanë një traditë të jashtëzakonshme etnologjike që do të ishte mirë të ishte prezente në shfaqjet shqiptare.
Nga tragjeditë antike ka patur pak vënie si në Kosovë dhe në Shqipëri. Diku në vitin '92, regjisori Agim Qirjaqi ka vënë tragjedinë e Shekspirit "Rikardi III" dhe asokohe ka qenë një inskenim i mrekullueshëm.
E vlerësoj realizimin e Agim Qirjaqit për shkak të mënyrës bashkëkohore të trajtimit, të tejkalimit të disa konvencioneve tradicionale apo klisheve stereotipe me të cilat asokohe dhe tani vazhdon të jetë i mbushur teatri shqiptar, në Kosovë dhe Shqipëri. Vlerësoj gjithashtu elegancën e jashtëzakonshme aristokratike, profesionale që Qirjaqi tregoi me "Rikardin III".