E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia tenton t'i marrë shtëpinë deputetit socialist

Dashamir Peza e cilësoi vendimin si rrethimin e tretë të shtëpisë nga Berisha: Dy herë më parë e kishin rrethuar fashistët


Përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës i kërkoi Pezës largimin nga shtëpia e babait

TIRANË- Tre furgonë policie rrethuan paraditen e djeshme banesën e deputetit socialist, Dashamir Peza, në fshatin Pezë të Tiranës, me qëllim sekuestrimin e saj, pas një vendimi qeverie për llogari të Institutit të Monumenteve të Kulturës.


Furgonët shoqëronin përfaqësuesin e Ministrisë së Kulturës, Arbër Kadiu, i cili me një vendim të Këshillit të Ministrave në dorë, kërkonte t'i komunikonte, vendimin për kalimin e shtëpisë muze, ku ishte zhvilluar Konferenca e Pezës, në administrim të Institutit, nga Bashkia e Tiranës që e kishte pasur atë deri më tani.


Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Këshilli i Ministrave pretendojnë se banesa e deputetit socialist, është në listën e objekteve që trajtohen si Monumente të Kulturës, kjo pasi ajo më parë ka qenë shtëpi muze.


Babai i deputetit socialist, Myslym Peza, e kishte lënë trashëgimi këtë shtëpi për shtetin me qëllim kthimin e saj në muze, duke qenë se aty ishte zhvilluar Konferenca e Pezës. Por qeveria Berisha, në vitin 2006, me një vendim të Këshillit Kombëtar të Restaurimit në varësi të Ministrisë së Kulturës, e ka hequr shtëpinë e Pezës nga lista e monumenteve të kulturës duke e cilësuar si të lidhur me veprimtarinë e Partisë Komuniste.


Por tashmë që Peza është bërë deputet dhe në një kohë kur kriza politike është në kulmin e saj, kryeministri hedh shashkën e radhës për të hequr vëmendjen nga zhvillimet politike, dhe kërkon të bëjë shou me shtëpinë e deputetit.


Sipas Pezës, efektivët e policisë mbërritën rreth orës 10:00 të paradites së djeshme, para banesës së tij, duke ushtruar presion psikologjik.


Ai sqaroi se një punonjës i Ministrisë së Kulturës shoqërohej nga forca të shumta policore. Efektivët e Policisë nuk ndërhynë por qëndruan përreth shtëpisë. Sipas Pezës, shtëpia e babait të tij, nuk është hipotekuar apo regjistruar ndonjëherë në pronësi të shtetit shqiptar dhe nuk ka qenë asnjëherë pronë shtetërore


"Punonjësi erdhi me një vendim qeverie të pa shoqëruar nga asnjë dokumentacion ligjor. Nuk kam marrë asnjë njoftim më parë, ndërkohë që nuk pranojnë të japin shkresë ku të më kërkojnë dorëzimin e shtëpisë",- tha Peza.


Ai shtoi se banesa e tij është rindërtuar nga e para në vitin 2001 në tokën, pronë e babait të tij Myslym Peza. Më tej ai pohoi se toka i është kthyer nga Komisioni i Kthimit të Pronave dhe kjo është e dokumentuar.


"Kjo shtëpi është hequr nga lista e monumenteve të kulturës, pasi u vlerësua se nuk përmbante vlera monumentale. Heqja nga lista u bë ne kohën që në krye të Ministrisë së Kulturës ishte Bujar Leskaj, ndërkohë që vendimi për heqjen e shtëpisë nga ajo listë është firmosur nga Apollon Baçe, në atë kohë në krye të Institutit te Monumenteve te Kulturës.


Në kohën e fashizmit, banesa e vjetër është rrethuar dy herë. Ky është rrethimi i tretë nga Sali Berisha". Pas refuzimit të Pezës policia u largua pas më shumë se një ore, duke mos ekzekutuar vendimin e qeverisë. Peza tha dje për "Shekullin" se shtëpia e rindërtuar, është në proces legalizimi dhe është ngritur para vitit 2001.


Policia e Tiranës:
Mbështetëm Ministrinë e Kulturës për të shmangur incidentet


TIRANË- Policia e Tiranës ka reaguar pas nismës që kanë marrë përfaqësuesit e Ministrisë së Turizmit Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për sekuestrimin e shtëpisë së deputetit Dashamir Peza. Sipas policisë, dërgimi i forcave të rendit në shtëpinë e deputetit socialist që ndodhte në Pezë ka pasur si qëllim vetëm mbështetjen e përfaqësuesve të ministrisë dhe shmangien e incidenteve gjatë ndërhyrje së tyre.


"Gjatë veprimtarisë së tyre, përfaqësuesit e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, nuk janë penguar në veprimtarinë e tyre, nga asnjë person i interesuar dhe për pasojë nuk ka qenë e nevojshme asnjë ndërhyrje policore. Gjatë gjithë kohës, punonjësit e policisë vetëm kanë qenë prezent në afërsi të këtyre ambienteve"- thuhet në reagimin e Policisë së Tiranës, për situatën e djeshme krijuar në shtëpinë e deputetit të Partisë Socialiste, Dashamir Peza.


Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, në reagimin e saj rreth çështjes së shtëpisë në Pezë, ka sqaruar se nuk është ndërhyrë nga forcat e policisë, pasi nuk ka pasur asnjë situatë të pazakontë. Policia e Tiranës ka bërë dje të ditur se vetë Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve ka kërkuar mbështetjen e forcave të rendit . Mbështetja është kërkuar gjatë ndërhyrjes për zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 323 datë 12 maj 2010 për kalimin e Muzeut të Konferencës së Pezës MTKRS-së.


Peza: Do denoncoj veprimet në prokurori


Deputeti socialist, Dashamir Peza, në lidhje me veprimet e policisë dhe të Institutit të Monumenteve të Kulturës, deklaroi se do të bënte kallëzim penal në organet e drejtësisë, pasi veprimi i djeshëm është shkelje e hapur e ligjit. Sips tij, tentativa për të nxjerrë jashtë pronës së tij një person që e ka të trashëguar dhe zotëron të gjitha dokumentet e nevojshme është veprim i pastër antiligjor, për të cilën ai do ndiqte rrugën ligjore.

Ministria e Kulturës

Pas ngjarjes, Ministria e Kulturës reagoi nëpërmjet një njoftimi zyrtar duke pohuar se shtëpia ku ishte zhvilluar Konferenca e Pezës ishte vendosur të kalonte në administrimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës, ndërsa më parë ajo kishte qenë në administrimin e bashkisë së Tiranës.


"Përfaqësues të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare të Tiranes, të shoqëruar nga forcat e rendit, në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.323, të datës 12 maj 2010, kërkuan lirimin e mjediseve të shtëpisë- muze të Konferencës së Pezës, ne fshatin Peze, monument Kulture". Sipas Ministrisë së Kulturës, pretenduesve të pronës iu komunikua vendimi dhe iu kërkua bashkëpunim për ndjekjen e mëtejshme të procedurave.


Më tej, sipas këtij njoftimi zyrtar, z.Dashamir Peza ngriti pretendimin se monumenti është në pronësi të tij. Sipas Ministrisë së Kulturës, duke qenë se Peza, nuk pranoi të dorëzonte objektin, u gjykua që marrja në dorëzim të bëhej. "Objekti i shtëpisë-muze do t'i kthehet Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare të Tiranës. Sapo ka ardhur një shkrese nga bashkia e Tiranës që pretendon që ka kërkuar të hiqet objekti nga lista e inventarit paraprak te pronave që në vitin 2006.


Ndërkohë, që në vitin 2006 padrejtësisht ky objekt është futur në inventarin paraprak të objekteve shtetërore në varësi të bashkisë së Tiranës, dhe duhej të ishte regjistruar në inventarin e komunës Pezë".


Policia tek Peza, deputetët braktisin Kuvendin


TIRANË- Tentativa e Ministrisë së Kulturës dhe forcave të policisë për të sekuestruar si pronë shtetërore shtëpinë ku u mbajt konferenca e Pezës dhe që sot ndodhet në pronësi të deputetit socialist Dashamir Peza ka prishur seminarin e organizuar nga zyra e OSBE-së në Tiranë me deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë.


Ndërsa ishin mbledhur në Kryesinë e Kuvendit për tu njohur më hollësisht me procedurën e legjislative dhe me strukturën drejtuese të këtij institucioni, të zgjedhurit e rinj të Partisë Socialiste janë detyruar ta lënë këtë aktivitet në mes, duke vënë në një pozitë të vështirë dhe drejtuesit e lartë të përfaqësisë së OSBE-së në Tiranë.


Menjëherë sapo janë njohur me përpjekjet e Ministrisë së Kulturës dhe praninë e madhe të forcave të policisë që kishin shkuar për të mbështetur aksionin e sekuestrimit të Shtëpisë së Konferencës së Pezës, deputetët e majtë kanë lënë mbledhjen dhe janë larguar për të shkuar në Pezë dhe mbështetur kolegun e tyre, Dashamir Peza.


Jo vetëm ata, por edhe deputetët e tjerë socialistë që në ato momente ndodheshin në mbledhjet e komisioneve parlamentare i janë bashkuar kolegëve të tjerë dhe janë nisur po ashtu drejt Pezës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›