E Diel, 1 Nëntor 2026

Vajtimi përjashtues i kukuvajkës bolshevike

Dalja e parë publike e liderit të Partisë Socialiste Edi Rama pas takimeve në Internacionale dhe shkarjes arrogante kundër “Zërit të Amerikës” kishin si synim parësor vajtimin e mëtejshëm të krizës me elementë të rinj. Se për cilën krizë e kishte fjalën kjo mbetet një mister. Dhe si çdo mister i mirë është kuriozitet ta zbulosh si haber. Në këtë konferencë për shtyp ai midis të tjerave foli (me tre ditë vonesë) për rezolutën e Komisionit Parlamentit Europian, çka sutaku i tij gungash e quan ende “projekt-rezoluta” e PE-së. Kësisoj ai nuk feston sepse rezoluta thotë të vërteta të frikshme. Pikërisht e vërteta është alergjia e kësaj opozite apatride që nuk feston por provokon dhe vajton. Vajton sepse nuk gëzon për përmbushjen e aspiratës legjitime të shqiptarëve të lëvizin të lirë pa viza, pa kriza klandestine. Obsesioni për të nulifikuar rëndësinë dhe vlerat simbolike e rezolutës që Parlamenti Europian miratoi thuajse me unanimitet rezolutën për integrimin, e cila sanksionoi vendimin për udhëtimin pa viza në hapësirën “Shengen” brenda këtij viti nuk ka fund: Edi Rama u shpreh dje se “duke përjashtuar procesin e liberalizimit te vizave, të gjitha çështjet e tjera të trajtuara në Rezolutë janë shqetësuese”. Si është e mundur që ky politikan mendon dhe reflekton me përjashtime procesesh dhe nuk vlerëson asnjë rezultat pozitiv për Shqipërinë, por ka vënë syzet e errëta të nihilizmit për të ndjellë ison e kuturisë politike. Kryetari i PS-së, Edi Rama as edhe një ditë të vetme nuk ia ka kushtuar procesit të liberalizimit të vizave të shqiptarëve, përkundrazi ka dërguar sejmenët e tij në Bruksel për të prodhuar panik e frikë, me kinse Kartat e Identitetit të pa sigurta, me sondazhe të pilotuara dhe të manipuluara në Beograd nga bijtë e dinjitarëve socialistë (Sajmira Pino) që i binin alarmit të emigrimit masiv të shqiptarëve, etj. Kontributi i vetëm i tij është në kaos, si aksioner i stresit artificial politik me kutitë e votimit, dhe si përgjegjës direkt e pretekstuoz të një problemi që zgjidhej në embrion në rrugë institucionale. Por materniteti ilegal lind krijesa të çuditshme që habisin edhe të habiturit e 20 mijë komisionerëve socialistë.
Gjithsesi e rëndësishme është që në Parlamentin Europian të gjithë kanë zgjedhur interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, para interesave të Edvin Ramës, një njeri që çdo ditë e më shumë po zhytet në anormalitetin e tij politik, që nuk ka as një plan minimal të lëvizjes së tij, që prej muajsh kërcënon me greva, protesta e së fundi me bojkot të zgjedhjeve lokale.
Ne terrenin politik shqiptar janë të vazhdueshme këto britmat histerike kundër liberalizimit të vizave, bile vajtimi patetik për problemet dhe si gjithmonë pesimizmi është alfa dhe omega e opozitës socialiste. Krahas “Sirenave vajtore”, ekzistenca në folklorin socialist e isos polifonike e disa gjinive si përshembull në këngën iso-ekonomike me origjinë mitologjike apo edhe në “vallet rituale”, mund të provojë se iso-politika ka qenë bashkëudhëtarja soc-komuniste e përhershme. Parlamenti europian përshëndeti përmirësimet e bëra në kuadrin ligjor dhe administrativ të procesit zgjedhor dhe vë në dukje se, sipas vlerësimit të OSBE-ODIHR, zgjedhjet parlamentare të qershor 2009 kanë përmbushur shumicën e standardeve ndërkombëtare.
Efekti tragjik i konstatimit të dukurisë së vajtimit masiv shumëzërësh u pa edhe në kundërshtimin e ndryshimit të rregullores për votimin e hapur, që socialistët e kundërshtuan fuqimisht, pa shkak. Afërmendsh ndryshimi në rregulloren e Kuvendit synon konsolidimin e një praktike të nisur dy vjet më parë, e cila në themelin e vet ka transparencën në përzgjedhjen e gjyqtarëve të lartë dhe të atyre kushtetues. Ky parim nuk cenon asnjë aneks të demokracisë pasi ajo ndeshet me traditën e Europës liberale, vendet e së cilës në shumicën e vet aplikojnë votimin e hapur. Votimi i hapur në parlament është një kontribut pozitiv në shëndoshjen e sistemit të drejtësisë, pasi marrja publike e përgjegjësive nga politika do ta rrisë cilësinë e të zgjedhurve në krye të gjykatave shqiptare. Ai që e kundërshton ose është në parim ose e ka tërësisht gabim.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›