Vajza falsifikoi kartën e identitetit që të pranohej si punëtore në fabrikë
Tiranë – Një 16 vjecare është dënuar nga seksioni i të miturve me shërbim prove për dy vjet, për akuzën e falsifikimit, pasi u zbulua se ajo kishte rritur moshën në dokumentet e identifikimit, në mënyrë që të kishte mundësi ta punësohej në një fabrikë këpucësh.
Zoje Vata, e lindur në Kukës dhe me banim në Valias të Tiranës, është vendosur nën hetim më shumë se dy vjet më parë, kur ajo ishte vetëm 14 vjece në atë kohë. Vajza, në atë kohë është paraqitur me emrin mbiemrin dhe datëlindjen e motrës se saj, e cila ishte në moshë madhore duke plotësuar në këtë mënyrë të dhëna të rreme në formularin ku aplikohet për kartë identiteti.
Gjykata dhe prokuroria kanë konkluduar në përfundim të procesit se adoleshentja e ka kryer veprën penale më qëllim për të përdorur letërnjoftimin për interesat e saj dhe konkretisht ajo donte të hynte në një fabrikë për prodhim këpucësh , por duke qenë se nuk e kanë pranuar për shkak të moshës , ajo ka marrë të dhënat e motrës madhore, për të rritur moshën fiktivisht.
Sipas gjykatës, vajza vetëm e ka siguruar kartën e identitetit me të dhëna të rreme, por nuk mund të provohet nëse e ka përdorur apo jo, pasi vetë prokuroria pretendon se adoleshentja disa muaj pas këtij veprimi e ka denoncuar të humbur dokumentin në policinë e Kamzës.
Prokurori thotë që pas këtij veprimi për kartë identiteti ka aplikuar motra e saj M.V dhe pikërisht në këtë fazë është zbuluar edhe falsfikimi.
/IDEA/
Na ndiqni në: @GazetaIdea në Twitter/Gazeta Idea (Faqja Zyrtare) në Facebook
Ndani me ne komentet tuaja: