Vaksinat kundër H1N1; Mbesin në doganën e Tiranës, të hënën vaksinimi
Kanë mbërritur deri në Tiranë 10 mijë dozat e para të vaksinës kundër gripit të derrit, mirëpo janë bllokuar në doganë. Ndërsa Ministria e Shëndetësisë konfirmon ardhjen e tyre, deklaron se bllokimi është bërë për kontroll dhe vënien e pullave shqiptare. Për këtë arsye, pas daljes nga dogana, vaksinat do të dërgohen në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe në sanatorium. Kështu, pritet që vetëm ditën e hënë të mësohet diçka më shumë nëse do të nisë edhe zyrtarisht vaksinimi i grupeve të përcaktuara si të rriskuara. Ndërkohë që grupet e para që do të vaksinohen kundër gripit të derrave, janë përcaktuar bluzat e bardha, fëmijët 0-5 vjeç, mësuesit, gratë shtatzëna, të sëmurët kronikë. Në javët në vijim pritet të vijnë doza të tjera me vaksina për të plotësuar në total numrin e rreth 250 mijë dozave që do të përfitojë Shqipëria.
Dializa
Vasili: Drejt plotësimit kërkesa për transportimin e të sëmurëve
Kërkesa e vazhdueshme e pacientëve të dializës për transportimin e tyre drejt qendrave shëndetësore do të plotësohet së shpejti. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, deklaroi se me rritjen e financimit dhe shtimin e qendrave të dializës, do të përmirësohet cilësia e shërbimit, duke kryer seancat e nevojshme të dializës të përcaktuara nga mjeku, për çdo të sëmurë. Sipas ministrit, me shtrirjen e skemës së sigurimeve të kujdesit shëndetësor në spitale, me përcaktimin e kostove te shërbimeve, pritet t’i jepet zgjidhje përfundimtare problemit të transportit të sëmurëve nga banesa drejt qendrës ku marrin shërbimin shëndetësor, duke e përfshirë koston e transportit te sëmurëve në koston e shërbimit të dializës. “Kjo ka qenë dhe një kërkesë e vazhdueshme e shoqatës së pacientëve të dializës. Aktualisht, disa spitale e mbulojnë me automjetet e tyre, ndërsa disa spitale rimbursojnë biletën me një kuotë të caktuar, gjë e cila nuk e zgjidh plotësisht problemin”, - tha kreu i shëndetësisë, Vasili. Vitin që vjen, rreth 60 të sëmurë të rinj pritet të futen në skemën e dializës, në qytetin e Fierit. Ministri Petrit Vasili i ka bërë këto deklarata gjatë takimit në Komisionin parlamentar të Shëndetësisë për mjekimin zëvendësues të funksionit të veshkës. Sipas z. Vasili, me shtrirjen e skemës së sigurimeve të kujdesit shëndetësor në spitale, problemi do të zgjidhet gradualisht, duke u mbuluar me dializë i gjithë vendi.
OBSH
Dërgon 10120 njësi vaksina në Kosovë
Në kuadër të ndihmës së vazhdueshme që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) po i jep Kosovës në kushtet e pandemisë së gripit të ri A/H1N1, mijëra vaksina do të dërgohen në shtetin e ri për të vaksinuar popullsinë.
Ministria e Shëndetësisë së Kosovës bëri të ditur se të dielën, në Kosovë arrijnë 10120 skatula (pako) Tamiflu, barna këto që do të përdoren në trajtimin e gripit të derrit. Këto ilaçe në formën e kapsulave, të cilat kanë vlerë prej 155. 342 dollarësh amerikanë, mbërrijnë nga Gjeneva në Prishtinë. Ministria e Shëndetësisë i ka bërë përgatitjet logjistike për pranimin e këtij donacioni dhe barnat të cilat do të merren, do të dërgohen në depon e Ministrisë së Shëndetësisë dhe pastaj do të shpërndahet sipas nevojave të qendrave spitalore të Kosovës. Njësitë e reja të Tamiflusë të cilat do të arrijnë të dielën, do të krijojnë mundësi që furnizimi me këtë ilaç të jetë i qëndrueshëm, pasi Ministria e Shëndetësisë kishte siguruar më parë edhe 27500 njësi të tjera të këtij ilaçi, ndërsa donacioni që do të vijë, ka afat të përdorimit deri në tetor të vitit 2013. OBSH është në proces të dërgimit të 220 mijë vaksinave në Kosovë, prej të cilave një pjesë pritet të arrijnë në dhjetor, kurse pjesa tjetër në vitin 2010.
Zv.ministri Spahia
Gati strategjia 2010-2015 për shëndetin riprodhues
Ministria e Shëndetësisë tashmë ka përfunduar punën e përgatitjes së një dokumenti strategjik dhe plani veprimi për shëndetin riprodhues për periudhën 2010-2015. Zv.ministri i Shëndetësisë e raportoi këtë para Komisionit parlamentar të Shëndetësisë. Sipas zv.ministrit Spahia, përgatitja e këtij dokumenti reflekton qartë prioritetet e qeverisë shqiptare në drejtim të ofrimit të mundësive të barabarta të të gjithë shtetasve ndaj një kujdesi shëndetësor cilësor për shëndetin riprodhues. Ky dokument me objektiva të qarta dhe ambicioze, specifikuar në targetet për t’u arritur deri në 2015-n, përbën një bazë të shëndoshë për përmirësimin në mënyrë të ndjeshme të shërbimeve të deritanishme në drejtim të kujdesit për nënën, fëmijën, adoleshentët, moshën post-riprodhuese dhe gjithashtu ka vëmendje të veçantë për planifikimin familjar, çështjet e gjinisë dhe të dhunës në familje, çështjet e infeksioneve seksualisht të transmetueshme, HIV/AIDS si dhe infertilitetin. Në takim u diskutua se disa nga treguesit e shëndetit riprodhues si shëndeti amtar, fëminor, planifikimi familjar gjatë këtyre 15 vjetëve kanë qenë vazhdimisht në përmirësim, vdekshmëria amtare dhe foshnjore është ulur ndjeshëm dhe tendenca mbetet në ulje.