E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitë; Tragjedia e paralajmëruar, ra zjarr edhe më parë në fabrikë

Në fabrikën e Gërdecit kishte rënë edhe një herë tjetër zjarr, i cili është fikur me kova uji dhe mjete rrethanore. Ky fakt interesant dhe i padeklaruar më parë ka dalë nga dëshmia e minorenit 18-vjeçar, Flogert Çiku, i cili deklaroi se zjarri u fik me kova uji e mjete rrethanore dhe që prej asaj dite punonjësit e fabrikës kanë qenë të frikësuar. Jo vetëm kjo dëshmi, por edhe dy nga dëshmitë e tjera të dhëna para togave të zeza dje në Gjykatën e Tiranës kanë përforcuar konkluzionin e nxjerrë nga organi qendror i akuzës se shkak i tragjedisë së Gërdecit ka qenë saldimi i një karroce në ambientet e fabrikës së demontimit dhe mungesa e sigurimit të kushteve teknike në fabrikë. Tri dëshmitarët në dëshmitë e tyre i mëshojnë më tepër faktit se kjo tragjedi ka qenë e paralajmëruar, pasi edhe një herë më parë ka rënë zjarr dhe në fabrikë mungonin kushtet më minimale të shuarjes së zjarrit. “Vetëm kova uji kishim në dispozicion për shuarjen e zjarrit”, - kanë deklaruar dje Caje e Flogert Çiku, nënë e bir, ish-punonjës së fabrikës së Gërdecit. Ata kanë fajësuar drejtuesit e fabrikës për mossigurim të kushteve në rast rënie zjarri në fabrikë, aq më tepër që ditën e shpërthimit fusha ku demontoheshin predhat ishte e mbushur me barut. “Kalonin karrocat me barut dhe shkelnin fishekët në tokë dhe këto plasnin”, - kanë deklaruar dy dëshmitarët, të cilët kanë shtuar se fikja e zjarrit bëhej me disa kova më ujë që ishin vënë në dispozicion, si dhe me mjete të tjera rrethanore. Masa e vetme, që u jepte kurajo punëtorëve ishte: “Kini kujdes kur hapni arkat!”. Por, ky nuk ka qenë i vetmi faj i drejtuesve të fabrikës, sipas dëshmitarëve, pasi edhe punësimi i të miturve në fabrikë i shtohet atij të mungesës së kushteve të sigurisë teknike në fabrikë. Punësimin e minorenëve në fabrikën e demontimit e ka pranuar dje, por edhe në seancat e mëparshme, edhe vetë drejtuesi i fabrikës, Dritan Minxholli. Vetë i pandehuri Minxholli pranoi para gjykatës se i kishte marrë në punë, madje edhe të mitur të tjerë, për shkak të gjendjes së varfër ekonomike që kishin. Ndërsa, për sa i përket karrocës e cila solli dhe shpërthimin sipas prokurorisë, punëtorët dëshmitarë thanë se ajo u saldua në një shtëpi banimi në afërsi të punishtes, rreth 30 metra larg, dhe se kur u rikthye për t’u ngarkuar me barut, ishte ende e nxehtë dhe sipas tyre solli dhe shpërthimin. Punëtorët dëshmuan me radhë gjatë seancës së djeshme se të gjitha karrocat e ngarkimit, qoftë për fishekët, qoftë e barutit, që shkatërroheshin, saldoheshin në një shtëpi përdhese pranë punishtes nga shtetasi Qemal Deliu, i cili humbi jetën gjatë shpërthimit.

Dëshmia e Caje Çikut

Fillimisht, në seancën e djeshme ka dëshmuar një nga ish-punonjëset e fabrikës së demontimit ku ndodhi shpërthimi, Caje Çiku. “Më 14 qershor fillova punë në fabrikën e Gërdecit. Morëm vesh që do hapej një fabrikë për çmontimin e armëve, si dhe shihja që po bëhej një ndërtim dhe u interesova se isha pa punë. Takova Dritan Minxhollin, thashë si e kisha hallin dhe më mori në punë. Nuk kam firmosur asnjë shkresë, kur nisa punë. Procesi i punës ishte që arkat me fishekë, të cilat vinin rreth 40 kg, ne do t’i hapnim me levë dhe çekiç. Brenda tyre ishin dy arka më të vogla që kishin fishekët. Normën e punës e kishim 40 arka për person dhe pagesa ditore ishte 10 mijë lekë të vjetra. Më pas i merrnim me karroca dhe i çonim në fabrikë ku ishin edhe makineritë. Fishekët ishin të kalibrit 25. dhe 12.7 mm. Te fishekët punova deri më 10 tetor 2007. Nuk kemi qenë të siguruar. Për të shuar zjarrin ishte një punëtor me një kovë ujë. Më 12 shkurt 2008 kam kaluar në larjen e predhave. Për këtë kishim dy kazanë, një me naftë dhe një tjetër me ujë. Pasi i lanim predhat me naftë, i fshinim me lecka dhe i sistemonim në fabrikë. Procesi i punës ishte ndarë, një grup merreshin me pastrimin, një grup me shpëlarjen dhe një grup me çmontimin. Çdo grup kishte nga 4 punëtorë. Saldimet e karrocave që prisheshin gjatë punës, bëheshin në shtëpinë e Qemal Deliut. Saldimi i karrocave bëhej rreth 30 metra larg fabrikës. Karrocat saldoheshin te bishti se aty dëmtoheshin më shumë. Pasi i linin të ftoheshin, vazhdonin punën. Ditën e shpërthimit fillova punë në mëngjes dhe në orën 12 pa çerek, lamë punën sepse do ndërronim ujin që ta kishim gati për pasdite. Shkuam lamë duart dhe shkuam për të ngrënë bukë. Sapo morëm çantat, pamë flakë jashtë fabrikës, por brenda rrethimit të saj. Aty çmontoheshin predhat. Unë kam pësuar dëmtime të lehta, pasi nuk isha afër vendit të shpërthimit”, - ka përfunduar dëshmitarja Çiku.

Dëshmia e të birit, Flogert Çiku, 18 vjeç

Një tjetër dëshmi interesante, e cila nxori në pah shkakun e shpërthimit të fabrikës, ishte ajo e 18-vjeçarit, Flogert Çiku, dikur 16 vjeç, kur punonte në fabrikë. “Kam punuar në çmontimin e fishekëve. Më 15 qershor 2007 kam filluar punë deri sa filloi shkolla më 30 gusht. Atëherë isha në vitin e dytë të shkollës së mesme. Në një grup punonin 4 persona. Ai që më mori në punë ishte Dritan Minxholli. Në grupin tim punonte dhe nëna ime. Ne kryenin çmontimin e fishekëve. Hapnim arkat i nxirrnim fishekët prej andej dhe më parë i ç’paketonim dhe më pas i vendosnim përsëri në arka ku dërgoheshin brenda në fabrikë, ku bëhej ndarja nga baruti. Në fabrikë ishin punëtorë të tjerë. Më parë s’kisha njohuri, por kryerjen e kësaj pune e mësuam aty. Kishte lloje të ndryshme fishekësh të kalibrave të ndryshme. Norma ishte 160 arka për 4 persona dhe pagesa ditore ishte 10 mijë lekë. Punohej me 3 turne në çmontimin e fishekëve. Nuk kishte mjete kundër zjarrit. Kam parë makina të mëdha ushtarake që sillnin fishekët. Më pas ato transportoheshin me karroca dore. Karrocat dëmtoheshin nga pesha e madhe që vendosej sipër”, - ka rrëfyer 18-vjeçari, ndërsa shtoi se “pasi riparoheshin, ato përdoreshin përsëri për punë”. Gjithashtu, gjatë dëshmisë së tij, i riu shtoi se brenda në fabrikë kishte parë dy amerikanë brenda, si dhe persona të veshur me uniformë. “Mihal Delijorgjin e kam njohur vetëm si emër, por nuk e kam parë”, - është shprehur mbi njohjen me administratorin e fabrikës dëshmitari, ndërsa shtoi se ditën e shpërthimit nuk ka qenë në fabrikë, por shtëpi, duke parë një ndeshje sporti. “Përjashta pashë flakë, pas 5 minutash ndodhi shpërthimi. Shtëpia u shemb plotësisht”, - vijoi dëshminë Çiku, ndërkohë që iu përgjigj edhe pyetjes së prokurorëve, nëse kishte apo jo fëmijë të tjerë të punësuar në fabrikë. “Ka pasur edhe fëmijë të tjerë në fabrikë të moshës 14, 15, 16 vjeç. Kur fishekët binin nga arkat kam parë një rast që u shkelën nga rrotat e karrocës dhe fishekët kanë plasur në tokë”, - ka përfunduar dëshminë ai.

Dëshmia e Sadik Sulës, ish-ushtarak i dalë në reformë

Një dëshmi tjetër interesante gjatë procesit të djeshëm në Gjykatën e Tiranës ka qenë ajo e ish-oficerit të dalë në lirim, Sadik Sula, edhe ai punonjës në fabrikën e demontimit. “Nga disa shokë të mi kisha marrë vesh që në Gërdec bëhej çmontimi i municioneve. Kontaktova me një shokun tim, Petrit Behari, që punonte në fabrikë dhe i kërkova të më takonte me personat përgjegjës. Në shkurt 2008 shkova dhe takova Dritan Minxhollin në hyrje të fabrikës, folëm bashkë dhe vendosën të më merrnin në punë. Të nesërmen më 26 shkurt fillova punë. Nuk kam nënshkruar kontratë në momentin që fillova punë. Dritani më çoi tek vendi i punës më tregoi procesin dhe orarin e punës, 08:00-16.30, si dhe pagesën 3 mijë lekë në ditë, pa pushim dhe të shtunë dhe të diel. Pranova kushtet dhe fillova punë. Ditën e parë u vendosa te tavolina morsetë bashkë me një shokun tim Zabit Cuku, sa të mësoja edhe radhën e punës. Aty futej predha që fiksohej dhe bëhej heqja e djegores, si dhe sistemimi i tyre. Unë kam punuar gjithsej 18 ditë punë deri në 15 mars. Ditën e parë të punës vjen përgjegjësi me emrin Vangjel dhe më sjell një fletë format, e cila thoshte se bashkangjitur ishin rregullat e sigurimit teknik, por ato rregulla nuk i pashë asnjëherë. Unë e firmosa atë fletë. Pas 4-5 ditësh u këput çelësi me të cilin bëhej demontimi i djegores së predhave. Afrohet Delijorgji, me të cilin nuk kisha asnjë njohje, u interesua dhe dha urdhër të zëvendësohet pajisja e dëmtuar. Hiqnim 200-300 djegore në ditë. Ditën që ndodhi shpërthimi kam qenë tek baruti. Atë ditë shkruaja llojin e predhës, si dhe llojin e barutit, i cili më pas futej në thasë dhe pastaj nga vetë punëtorët futej në fabrikë. Këshillat për punën jepeshin çdo ditë me gojë nga Minxholli dhe Vangjeli. Punëtorët punonin shumë afër me njëri-tjetrin. S’kishte hapësirë të mjaftueshme. Baruti hiqej brenda ditës dhe futej në fabrikë. Mjetet ushtarake që shkarkonin municionet futeshin nga ora 2 e pasdrekes. Ndërsa fadromat lëviznin gjatë gjithë territorit të fabrikës dhe merrnin predhat, të cilave u ishin hequr djegoret dhe ishin të parrezikshme. Ditën e shpërthimit, e gjithë fusha jashtë fabrikës ishte me barut pasi kishte 4 orë që punohej. Grupet e punës punonin mbi baza familjare, ishin grupet që bënin hapjen e djegoreve, grupet e demontimit, ishte dhe një grup grash që ndanin predhat dhe grupet e transportit të arkave dhe i shkarkimit të predhave. Në orën 12 pa 1 minutë me orën time, isha në pushimin e drekës. Dëgjova një zë: “Baruti u ndez”. Ngre kokën dhe pashë flakë në 2 metra lartësi. Thasët me barut ishin të ngarkuar në një karrocë. Kthehem prapa dhe iki me vrap për të shpëtuar. Pas 2 minutash dëgjova një shpërthim të fuqishëm dhe u rrëzova. U dogja në kokë duar. Kthej kokën pas dhe pashë punëtorët që ishin ngritur, ndërsa unë nuk ngrihesha dot. Më erdhi një shok që më ndihmoi. Nga shpërthimi në atë moment kam humbur dëgjimin 100 për qind. Në spital mbaj mend që një djalë i shtruar në një dhomë me mua më tha se baruti u ndez, pasi një punëtor kishte salduar karrocën në shtëpinë afër fabrikës, 200-300 metra larg dhe një djalë tjetër e kishte marrë karrocën pa u ftohur”, - ka përfunduar dëshminë Sadik Sula.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›