E Shtunë, 31 Tetor 2026

Valë arrestimesh të kundërshtarëve të Ahmadinexhad

Teheran- Një numër i konsiderueshëm reformatorësh, pasues të rivalit kryesor të presidentit Mahmud Ahmadinexhad, u arrestuan dje pasdite, deklaroi sot një nga përgjegjësit e Frontit të Pjesëmarrjes, Raxhab-Ali Mazrui.

Mes personave të arrestuar ishin Mohsen Mirdamadi, shefi i frontit në fjalë, Mostafa Taxhadeh, ish-zëvendësministër i Brendshëm, Mohsen Aminzadeh, ish-zëvendësministër i Jashtëm, Abdollah Ramezanzadeh, zëdhënës i qeverisë në kohë e Khatamit si dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Procesi i njoftimit të rezultateve të zgjedhjeve presidenciale në Iran u shoqërua me trazira në Teheran mes përkrahësve të kandidatëve kryesorë presidencialë. Presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad fitoi turin e parë të zgjedhjeve presidenciale me 62,63 për qind të votave.

Kundërshtari kryesor i presidentit, ish-kryeministri Mir Hossein Moussavi mori 13 216 411 vota, 33,75 për qind, ndërkohë që konservatori Mohsen Rezai fitoi 1,73 për qind të votave dhe reformatori Mehdi Karubi 0,85 për qind të tyre.

Më shumë se 100 persona, përfshirë vëllain e ish-presidentit Mohamad Khatami, janë arrestuar në Iran nga policia, njoftoi lideri reformist, Mohamad-Ali Abtai.

''Ata u morën nga shtëpitë e tyre'', tha Abtai. ''Pritet që numri i të arrestuarve të shtohet'', theksoi ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›