Vale falimentesh te bizneseve ne Europe

Një valë falimentesh të bizneseve do të godasë Europën gjatë këtij viti dhe numri i falimentimeve do të rritet në mënyrë të ndjeshme. Është ky alarmi i dhënë nga e përditshmja britanike “FT”, sipas të cilës përkeqësimi i kontekstit makroekonomik, sëbashku me shtrëngimin e dhënies së kredive nga ana e bankave, po vënë nën presion kryesisht kompanitë e vogla dhe ato më debitore. Sipas gazetës britanike nuk do të jetë një surprizë nëse në fund të 2012-ës industria europiane do të ndeshet me një seri falimentimesh. Nga ana tjerër bankat europiane, për tju përgjigjur rregullave më të ashpra të vendosura nga Brukseli, janë më të shtrënguara të japin hua, duke preferuar më shumë të shtojnë nivelin e kapitalit. Një studim i fundit i BQE, ka evidentuar se institutet bankare kanë vendosur kushte të forta kredidhënie në tremujorin e fundit të 2011. Ndërkohë që edhe pritjet flasin për një përkeqësim të situatës në muajt e ardhshëm. Shumë grupe, kryesisht ato me dimensione të reduktuara, gjenden në vështirësi për të paguar borxhet e tyre. Likuiditeti më i madh është i përqëndruar në arkat e kompanive të mëdha. 2012 nisi me falimentimin e një prej kompanive më të mëdha të karburantit në Europë, Petroplus Holdings AG, e cila nuk mundi të rinegocionte për shtyrje të rifinancimit të kredive, apo kampania hungareze e fluturimeve Malev e cila mbyll pas 66 viteve veprimtarinë e saj për shkak të borxheve të larta. Po kështu edhe kompania ajrore Spanair apo edhe të tjera shoqëri europiane të cilat e kanë mbyllur vitin 2011 me rënie të theksuar të ardhurash. Analistët botëror të ekonomisë janë të ndarë në opinionin e tyre mbi të ardhmen e kompanive. Më pesimistë shprehen ekspertët e S&P, sipas të cilëve norma e falimentimit mund të ngjitet në 8,4% në total nga 2,6% aktualisht. Më të kursyer tregohen ekspertët e Morgan Stanley me 5%, Rbs me 5,6%, Boa 5,9%. Ndërsa më optimistë janë shprehur ekonomistët e Bnp Paribas, të cilët parashikojnë vetëm 4% të falimentit të kompanive europiane për këtë vit.