Valencia zë vendin e dytë
Valencia ka fituar derbin e parë të javës së shtatëmbëdhjetë në La Liga në ndeshjen e zhvilluar të shtunën mbrëma në Mestalla kundër Atletico Madridit me rezultat 3-1. Goli i parë në ndeshje erdhi nga një penalti kontroverse, e cila u akordua për Valencian, ndërsa nga pika e bardhë nuk gaboi David Villa (34'). Pesë minuta më vonë, Miguel ia rrëmbeu topin Pernias dhe pasoi te David Silva, ndërsa ky i fundit e mposhti portierin Leo Franco për ta dyfishuar epërsinë. Pa përfunduar pjesa e parë (45') u akordua një tjetër penallti e dyshimtë, këtë radhë në favor të mysafirëve, të cilën e shndërroi në gol Diego Forlan për ta ngushtuar epërsinë në 2-1. Në fillim të pjesës së dytë, Atletico Madrid shfaqi një lojë më të mirë, mirëpo David Silva shoi shpresat e mysafirëve për ndonjë barazim pasi shënoi golin e dytë personal dhe të tretin për Valencian (69') nga një distancë prej afër 23 metrash. Me këtë fitore Valencia ngjitet në kuotën e 33 pikëve, dy më shumë se Sevilla që zbret në vendin e tretë, por që të dielën zhvillon ndeshjen kundër Osasunas.