E Shtunë, 31 Tetor 2026

Van Bommel, gratis në Milan

Nga Express më 25 janar 2011 në ora 17:43

Mark van Bommel është futbollist i ri i Milanit. Lajmin e ka zyrtarizuar klubi i tij i deritashëm Bayern Munchen, përmes ueb faqes zyrtare. Vendimi është marrë pas bisedimeve në mes të dy palëve.

“Ishte një kërkesë e vetë Marcos, i cili ka dashur të shkojë në Milan menjëherë. Ai ishte gjithmonë një model profesionisti, një lojtar i sukseseve dhe një kapiten i madh për ne. Për këtë e kemi dëgjuar kërkesën e tij”, ka thënë presidenti i Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge.

Me këtë rast është shkëputur kontrata e klubit bavarez me holandezin, ndërsa 33 vjeçari ka nënshkruar për një vit e gjysmë me Rossonerët.

“E lë Bayernin me zemrën e thyer, por me kokën lart. Kam kaluar katër vjet e gjysmë mjaft të bukura dhe të suksesshme, dhe e falënderoj klubin dhe tifozët. Bayern Munchen do të zërë vend gjithmonë në zemrën time”, ka thënë Van Bommel, i cili kishte kontratë me gjigantin gjerman deri më 30 qershor të këtij viti.

Holandezi pritet të debutojë të mërkurën me Rossonerët, në ndeshjen e Kupës së Italisë ndaj Sampdorias.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›