Van Persie ende beson në titull
Robin van Persie mbetet optimist se Arsenali mund të fitojë titullin në Premierligë dhe shpreson që Liga e Kampionëve të ketë ndikim negativ ndaj liderit, Manchester United.
Fati i Arsenalit tani më nuk është në duart e tij pas barazimit 0-0 në shtëpi me Blackburn Rovers të dielën, që la ekipin e Arsene Wengerit shtatë pikë prapa Manchester Unitedit.
Arsenali ka një ndeshje më pak të zhvilluar, ndërsa do të presë Djajtë e Kuq në Emirates Stadium në maj.
Manchester United në ndërkohë do të takohet me Chelsean në çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe Van Persie thotë se Arsenali duhet të shfrytëzojë lodhjen eventuale të skuadrës nga Old Trafford.
“Mënyra si e shoh unë është se Manchester United do të ketë dy ndeshje të mëdha para përballjes me ne. Shpresoj që ata të gropojnë thellë deri në rezervat e tyre dhe të vijnë këtu të lodhur. Besoj se mund të kemi një rast të mirë kundër tyre. Ne besojmë. Do të luajmë kundër tyre dhe kemi shans të marrim tri pikë këtu. Varet nga ne”, deklaroi Van Persie për Sportinglife.com.