Lekë në këmbim të mosvotimit, nis procedimi për 56-vjeçarin
DURRËS- Policia e Durrësit ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për një banor të këtij qyteti, i cili i ka premtuar një bashkëqytetari të tij një shumë të caktuar lekësh për të mos votuar në 8 maj për forcën politike që ai dëshironte. Bëhet fjalë për shtetasin me iniciale S.D 56 vjeç nga Durrësi, i cili i ka premtuar një banori nga Spitalla 2000 lekë të reja për çdo person të familjes së tij për të mos votuar në 8 maj. Burimet e policisë kanë bërë të ditur se shtetasi S.D i ka premtuar 49-vjeçarit nga Spitalla me iniciale H.D shumën prej 2000 lek për çdo kartë identiteti të familjes së tij. Për këtë ngjarje ka bërë denoncim në komisariatin e policisë së Durrësit 49-vjeçari me inicialet H.D, i cili fillimisht i ka vënë në dispozicion 4 kartat e identitetit të pjesëtarëve të tij të familjes. Nga burimet e policisë së Durrësit H.D fillimisht ka rënë dakord, por kur 56-vjeçari i ka thënë se do t’ia jepte të nesërmen lekët, ai ka ndërruar mendje dhe ka vendosur të bëjë kallëzimin në polici. Burimet e policisë bëjnë të ditur se shtetasi S.D akuzohet për veprën penale të dhënies së shpërblimeve dhe premtimeve, ndërkohë që personi që ka bërë kallëzimin nuk dihet se cilës forcë politike i përket. Drejtoria e policisë së Durrësit nuk ka pranuar të japë identitetin e plotë të shtetasit H.D, për shkak të ndjeshmërisë që ka kjo çështje dhe për shkak të reagimit që mund të ngjallë nga të dy partitë kryesore në prag të zgjedhjeve të 8 majit. Ajo që dihet me siguri është që personat e përfshirë në këtë tentativë për dhënie shpërblimi në këmbim të mosvotimit, është se ata i kanë ditur me saktësi preferencat politike të njëri-tjetrit. Burimet e policisë kanë shtuar se në kohën që 49 vjeçari ishte duke bërë kallëzimin e tij në polici, 56 vjeçari me inicialet S.D ka shkuar në banesën e tij dhe i ka dorëzuar të katër kartat e identitetit. Gjithsesi për të prokuroria ka nisur ndjekje penale në gjendje të lirë, ndërsa policia e Durrësit u ka bërë thirrje qytetarëve që të paraqiten menjëherë për të denoncuar raste të tilla që pengojnë shprehjen e vullnetit të lirë nëpërmjet votës. Kartat e identitetit dalin edhe një herë në skenë në prag të ditës së votimit. Në zgjedhjet e 28 qershorit të vitit 2009 kartat e identitetit u përdorën për herë të parë si dokumenti kryesor për të votuar, por përpara procesit të votimit dhe më pas ky dokument u kontestua nga opozita, e cila pretendonte se kartat e identitetit ishin falsifikuar në masë nga persona të ndryshëm. Praktika e ofrimit të shpërblimit monetar në këmbim të mosvotimit është përfolur se u përdor edhe gjatë zgjedhjeve vendore të vitit 2007 në Durrës. Pas përfundimit të zgjedhjeve, përqindja e votuesve në zonën e ish Kënetës rezultoi se ishte mjaft e ulët, çka u komentua si një nxitje për mosvotim të banorëve të kësaj zone.