E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vangjeli nuk është Krishti

Dritan Ikonomi
Kristi Vangjeli ka gjetur një justifikim shumë të dobët në përpjekjet e tij për të shpjeguar braktisjen e kombëtares shqiptare. Mbrojtësi 22-vjecar është ndjerë i fyer nga mosthirrja në skuadrën kuqezi për dy ndeshjet e fundit të marsit, kundër Sllovenisë dhe Bullgarisë. Kaq i ka mjaftuar që t'i kthejë kurrizin Shqipërisë dhe të shpallë se tashmë do të luajë me Greqinë (nëse kampionët e Evropës do të kenë vërtetë kaq shumë nevojë për të…). Ka kopjuar për mrekulli mbrojtësin tjetër shqiptar, Mërgim Mavraj, i cili gjithashtu u "ofendua" nga mosthirrja dhe për këtë shkak vendosi të zgjedhë Gjermaninë. Dy djemtë e rinj i ka zënë "frika" se në atdheun e tyre mund t'i etiketojnë si tradhëtarë dhe për këtë arsye përpiqen të shpëtojnë nderin e tyre duke fabrikuar alibi pa kuptim. Arsyeja është e thjeshtë dhe ata nuk mund ta mohojnë: Kanë dëshirë të luajnë për kombëtaret e vendeve ku jetojnë aktualisht, për shkak se ato skuadra u ofrojnë më tepër mundësi se Shqipëria, në gjithcka. Të luash me Gjermaninë do të thotë mundësi për titull evropian apo botëror, gjë që fanella kuqezi nuk ta ofron kurrë, ndërkohë që edhe Greqia, ndonëse jo me statusin e gjermanëve, përsëri të ofron një piacë më të lartë se Shqipëria. Është ëndrra e cdo futbollisti të luajnë në kompeticione madhore dhe e drejta e gjithkujt për të zgjedhur. Nga kjo e drejtë nuk përjashtohen as Vangjeli me Mavrajn dhe ata mund ta shpjegonin shumë thjesht zgjedhjen e tyre. Nëse munden, le të luajnë me kë të duan, bota njeh plot raste të tilla. Justifikimi me gjasme fyerjen që u është bërë nuk pi ujë, përkundrazi vetëm sa e shëmton zgjedhjen e tyre, pasi përpiqen që në mënyrë të pacipë e me gënjeshtra ta hedhin fajin te të tjerët, te trajneri i kombëtares dhe drejtuesit e futbollit shqiptar. Të gjithë këta janë të përkoshëm, ndërsa kombëtarja mbetet. Skuadra kuqezi nuk është as e Oto Baricit dhe as e ndonjë zyrtari të FSHF-së, është e të gjithëve pa përjashtim dhe aty luan kush e meriton. Jashtë kombëtares janë lënë edhe Kristian Vieri e Kristiano Lukareli, por nuk kanë mbetur ka të ofenduar sa Kristi shqiptar, një futbollist që nuk e ka provuar asnjëherë kombëtaren, por që cuditërisht beson se e ka me tapi vendin atje, a thua se është dikush që në fushë do të bënte mrekullira. Vangjelin e gënjen mendja! Ai nuk është Krishti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›