E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dorezohet FSHF, klubet fitojne takim per largimin e Kokedhimes

Firma e shtatë klubeve të Superiores në peticion bind federatën

Komisioni i Kategorisë Superiore, një alternativë për krijimin e Ligës së Futbollit Shqiptar, në mbledhjet e fundit nuk ka funksionuar thuajse fare. Kjo për faktin se një pjesë e klubeve janë shprehur të pakënaqur për drejtuesin e komisionit, Koço Kokëdhima. FSHF dhe drejtuesit e saj kanë tentuar ta mbrojnë titullarin, por tashmë duket se situata ka ndryshuar. Mbledhja e fundit, ishte një kaos total, i cili degjeneroi deri në fyerje mes të pranishmëve. Pjesa dërmuese e klubeve pjesëmarrëse, të përfaqësuar nga presidentët dhe drejtues të tjerë të lartë, kanë braktisur mbledhjen, pa arritur në ndonjë konkluzion përkatës. Kjo nxiti edhe disa polemika të forta mes palëve pro dhe kundër. Por, mbi të gjitha, në fundin e saj u konfirmua dorëheqja e parevokueshme e presidentit në Vllaznisë, Valter Fushaj nga Komisioni i Superiores dhe njëkohësisht deklarata e presidentit të Shkumbinit, Ylli Ndroqi, se do të tërhiqej përfundimisht nga sponsorizimi për skuadrën peqinase. Këto ishin rezultatet e mbledhjes së fundit të Kategorisë Superiore, ku nuk u mor asnjë vendim për temat në diskutim. Tashmë, kur ka kaluar më shumë se një javë nga ajo mbledhje, duket se reflektimi ka ardhur nga ana e FSHF-së. Dje, nëpërmjet një komunikate, organi më i lartë i futbollit në vend, ka pranuar “të lëshojë pe” disi para kërkesës së pjesës dërmuese të klubeve të Kategorisë Superiore. “Pas kërkesës së bërë nga shtatë klube të Kategorisë Superiore për një takim me Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së, është arritur një akord që takimi të zhvillohet ditën e martë, në datë 21.12.2010, ora 12:00”, shkruhej dje në komunikatën e FSHF-së. Gjithçka ka ardhur pas riformulimit të peticionit të shtatë klubeve të kategorisë elitare, të cilët e kanë firmosur kërkesën për ndryshimin e drejtuesit të Komisionit të Kategorisë Superiore, Koço Kokëdhima. Po ashtu janë zbardhur edhe emrat e klubeve që e kanë hedhur firmën e zezë mbi të bardhë në këtë peticion. Ata janë Kastrioti, Vllaznia, Laçi, Besa, Shkumbini, Bylis, Elbasan. Të gjitha këto klube kanë qenë të pranishme në mbledhjen e fundin dhe e kanë demonstruar haptazi, se e ardhmja e komisionit me në krye kryetarin e zgjedhur rreth një vit më parë, do të jetë e pavlerë, pasi ata kanë premtuar se do të bojkotojnë mbledhjet e ardhshme. E zënë ngushtë, duket se FSHF-ja ka pranuar rinegocimin e kërkesës së tyre. Por komunikata e djeshme e “qeverisë” së futbollit ka vazhduar edhe më tej për sa u përket zhvillimeve të fundit në lidhje me këtë çështje. “FSHF ishte e gatshme ta realizonte takimin në një datë më të afërt, por përfaqësuesit e klubeve që kanë nënshkruar kërkesën, nuk arritën që të organizoheshin përpara datës së caktuar”, shkruhej në këtë komunikatë, që sqaron se cila do të jetë rrjedha e ngjarjeve për këtë çështje “Në axhendën e takimit, FSHF do të përfaqësohet nga zëvendëspresidenti dhe disa anëtarë të Komitetit Ekzekutiv. Bashkërisht presidentët e shtatë klubeve të Kategorisë Superiore dhe përfaqësia më e lartë e FSHF-së do të diskutojnë rreth kërkesës që ka mbërritur pak ditë më parë në zyrat e FSHF-së”, përfundon komunikata.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›