E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vargjet dhe varret e poetëve

Poetët janë ata, që dashuritë individuale i kultivojnë dhe i rrisin ne dashuri ndërmjet popujve. Prandaj vargjet dhe varret e tyre janë dhe mbesin të të gjithëve. Nga Express më 05 shtator 2011 në ora 15:08

Ali Binaku, shqiptar i shpronësuar, i përndjekur dhe i dëbuar është personazhi, të cilin poeti malazez Radovan Zogovic e kishte zgjedhur për të nxjerr në pah vuajtjet dhe mundimet, që i shkaktoheshin popullit shqiptar nën sundimin e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene (1918-1941). Prandaj, edhe ciklin njëmbëdhjetë këngësh “Ardhësit-Këngët e Ali Binakut”, i shkruar në vitin 1937 e fillon me mallkimin e tij: “Unë Ali Binaku, të mallkoj gjithë ç`ke deri në farën e gjinisë sate...”.

Poeti malazez ishte zëdhënës i shqiptarëve të Kosovës

Me këtë poemë, ndër më të fuqishmet dhe më të guximshmet e kohës dhe më pastaj, poeti malazez Radovan Zogoviq i qëndroi pranë popullit shqiptar, edhe me çmimin e përndjekjes, burgosjes dhe persekutimit. Ky poet, prozator dhe publicist malazez, ndër më të mëdhenjtë e shekullit 20-të, mbetet i paharrueshëm për popullin, si ndër malazezët e paktë, i cili nuk pranoi të vendosej në pronën, që nuk ishte e tija.

“Ky zëdhënës i shqiptarëve, i cili përmes këngës së tij ngriti zërin për diskriminimin dhe shpronësimin ndaj shqiptarëve nën sundimin e Serbisë së Madhe, është ndër të rrallët, i cili nuk ka pranuar të vendoset në tokat e shqiptarëve, pa e blerë. Ai ka thënë: “Ma mirë të lëvrohen arat e Dukagjinit, sesa të mbjellën tokat shqiptare nga kolonët“, thotë Curri, qytetar i komunës së Deçanit dhe njohës i mirë i poemës së poetit malazez. Përderisa, sipas poetit të mirënjohur shqiptar, Ali Podrimja:

“Zogovici, shkrimtar i madh i Malit të Zi ishte po aq shqiptar. Prandaj, kur vdiq kërkoi që të varrosej midis shqiptarëve, sepse e njihte burrërinë dhe nderin e shqiptarëve dhe e dinte se shqiptarët një ditë varrin e tij do ta shndërrojnë në tempull!”

Urna e Radovan Zogoviqit prehet në Deçan

Varri i poetit malazez është në Deçan të Kosovës, të cilin e ndjente si shtëpinë e tij. Ky ishte edhe amaneti i tij, thotë Sllobodan Vujiqiq, kryetar i Shoqatës së Malazezve të Kosovës.

“Prandaj, tek ne malazezet thuhet se Radovan Zogovic është i Kosovës po aq sa i Malit të Zi, sepse ai në një kohë, kur as vetë shqiptarët nuk kanë pasur guxim të flasin për vuajtjet dhe mundimet e veta, ai e ka bërë këtë përmes këngës, aq guximshëm dhe aq fuqishëm, sa mbahet mend edhe sot e kësaj dite.”

Dhe kjo ndodhi pas vizitës së poetit atëbotë 28 vjeçar në Kroaci, tek shkrimtari i madh August Cesarec, i cili pasi dëgjoi pa fryme rrëfimin e tij dyorësh për vuajtjet e shqiptarëve në Kosovë e porositi që këtë flijim ta nxirrte në letër, thotë shkrimtari i mirënjohur malazez Mirash Martinovic, i cili shkroi për të në një kohë, kur pak shkruhej e edhe më pak botohej.

Ushtritë vdesin, mbretëritë kalojnë, por vargjet mbesin

“Ato vargje janë më të fuqishme se ushtritë, sepse ato janë vrarë, mbretëritë kanë kaluar, por ato kanë mbetur. Sepse ai ishte me popullin shqiptar, kur asnjeri nuk ishte dhe vargjet madhështore të Ali Binakut, me të cilat i qëndroi pranë popullit shqiptar, janë më të qëndrueshme se gurët, se shkëmbinjtë, se bjeshkët e toka e Kosovës. Atëbotë, ky ishte një guxim vetëvrasës! Por fakti, se ne jemi këtu sot bashke, tregon se veprat dhe poetët e mëdhenj jetojnë përjetësisht, ndërsa mesazhet njerëzore nuk vdesin kurrë. Ato vargje kanë larguar gjembat nga rruga, që ne të mund të vijmë deri te varri i tij: një borxh ndaj shkruesit të këtyre vargjeve dhe ndaj atyre, që ua kushtoi”.

Shkrimtari i shquar malazez Mirash Martinovic është një shembull tjetër i dashurisë, respektit, bashkëndjenjës dhe lidhjes ndërmjet popujve, i cili në radhën e dhjetëra librave me tema antike e ka edhe romanin Teuta, kushtuar mbretëreshës ilire. Nëpërmjet këtij romani Martinovic kthehet 24 shekuj prapa në kohë, atje ku bashkohen popujt e Ballkanit. Ndërsa lehtësim në rrugëtimin e tij ishin një ekip arkeologësh polakë, të cilët pas gërmimesh 12 vjeçare në Rizon zbuluan një qytet; njëri ndër selitë e mbretëreshës Teuta dhe vendi, ku ajo u pa për herë të fundit, rrëfen Martinovic.

Martinovic: “Rrugëtova nëpër 24 shekuj për ta rigjetur mbretëreshën ilire”

“Kur dëgjova emrin Teuta, m´u duk si një enigmë, e cila thërret të nisem në kërkim të saj. Dhe unë iu përgjigja kësaj thirrjeje dhe udhëtova nëpër 24 shekuj. Kësaj vere ky ekip arkeologësh gjeti një unazë gruaje, e cila mund të jetë e mbretëreshës Teuta. Dhe teksa mbaja në shuplakë atë unazë të artë me gurë të çmueshëm e diamante dhe me një figure mbretërore, unë paramendoja gishtërinjtë, të cilët e kanë mbajtur dhe pata ndjenjën se ajo dorë po shtrihet urë ndërmjet nesh dhe atyre, që jetuan përgjatë këtyre shekujve. Ajo na thotë të shtrëngojmë duart dhe të njihemi, sepse kjo është pasuri, diversitet dhe autenticitet. Ndërsa nga vizita në Kosovë dhe takimi me njerëz të përzemërt dhe zemërhapur, unë fillova të besoj se ai simbol i Teutës më ka gjetur mua, ngaqë ka dashur ringjalljen. Dhe unë e kam ringjallur atë nëpërmjet libri tim: “Teuta”.

Sipas poetit të Kosovës Ali Podrimja, autor i dhjetëra vëllimeve dhe përfaqësues tipik i poezisë shqiptare, i përkthyer në disa gjuhë të huaja, letërsia i afron popujt dhe i bën ata më të fortë.

“Por ne duhet të dimë se çka po i ofrojmë lexuesit shqiptar, apo lexuesit malazez. Ne si shqiptarë duhet të kontribuojmë në kultivimin e letërsisë malazeze për të dëshmuar se ne jemi të interesuar, që popujt fqinj të sillen ashtu siç duhet të sillet vëllai me vëllanë dhe ta ndihmojmë njeri-tjetrin për të ecë në rrugë më të ndriçuar. Ne duhet ta mundim të keqen me dinjitet. Përndryshe, nëse vazhdojmë kështu të ecim si të verbër, atëherë patjetër do të ndodhin edhe shumë të këqija”, thotë Podrimja.

Podrimja: "Letërsia i afron popujt dhe i bën më të fortë"

Sipas poetit shqiptar Podrimja dhe poetit malazez Martinoviq, shkëmbimi letrar ndërmjet të dyja shteteve po zë vend gjithnjë e më shumë. Se si në Kosovë po ashtu edhe në Mal të Zi është një hapje e ndërsjellë dhe një dëshirë, që poezia e të dy popujve të jetojë në këto hapësira.

“Nëse Ismail Kadare me veprat e tij ka bërë diçka, që s´kanë mundur ta bëjnë brezat tjerë, e njëjta mund të ndodhë dhe me Jevrem Berkovicin, i cili në kohët më të vështira ka luftuar për çështjen shqiptare. Nuk ka pas krijues në ish-Jugosllavi, i cili në Kongresin e Shkrimtarëve në Novi Sad ka thënë hapur: “Unë do t’vdes për shqiptarët”. Kjo është diçka madhështore! Prandaj, unë s’mund t´ia kthej shpinën mikut tim Berkoviqit, por duhet me ia zgjat dorën”, thotë Podrimja.

Sepse do të thoshte shkrimtari malazez Jevrem Brkovic: “Vargjet e poetëve dhe varret janë shenjtore, të cilat iu kthehen të gjithëve. Dhe janë poetët ata, që vëllazëritë dhe dashuritë individuale i kultivojnë dhe i rrisin në dashuri ndërmjet popujve”.

Deutsche Welle

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›