‘Falja e gjakut’ në Amerikë
Pasi fitoi çmimin e parë për skenarin në Festivalin e Filmit të Berlinit, ky film u shfaq në festivalin e Telluride-s, në Kolorado. Pikërisht pas debutimit në këtë festival, u njoftua dhe shfaqja komerciale e filmit në rrjetin e kinemave “IFC Films”.
Filmi do të shfaqet në origjinal (shqip), me titra në anglisht. “Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të arrish të shfaqësh një film në shqip në kinematë komerciale amerikane,” i ka deklaruar regjisori Marston gazetës kaliforniane.
Aktorët e filmit janë jo-profesionistë, të përzgjedhur nga krahinat veriore shqiptare (Shkodër, Kukës, Prizren, Prishtinë, Tetovë etj.) Filmi është xhiruar i tëri në fshatin Guri i Zi (rrethi i Shkodrës) dhe koordinatori i produksionit ka qenë Arben Lami, një producent nga Tirana.
“Falja e Gjakut” do ta ketë premierën shqiptare në kinematë komerciale të Tiranës më 16 shtator.