Shqiptarët e Zvicrës synojnë Evropianin

Rezultatet e fundit negative të Malit të Zi ia kanë ngjallur shpresat për kualifikim përfaqësueses së Zvicrës në Evropianin 2012.
Futbollistët shqiptarë, që aktivizohen me ekipin helvetik, janë optimistë më shumë se kurrë për një kualifikim të mundshëm në evenimentin që do të mbahet në Ukrainë dhe Poloni. Ata insistojnë se gjithçka tashmë është në duar të tyre për ta rrëmbyer në fund pozitën e dytë, pas Anglisë, e cila çon në barazh.
“Kur i shoh rezultatet e fundit, ndihem më i çliruar. Nëse e konsiderojmë fazën fillestare të kualifikimeve, tash jemi shumë më mirë. Mali i Zi në dy ndeshjet e fundit e ka marrë vetëm një pikë dhe kjo nënkupton se ka ekip me lojtarë të rinj, që e ndiejnë presionin. Situata e re është motivuese, mbi të gjitha nëse i rrëmbejmë tri pikë të martën”, theksoi sulmuesi Mehmedi, i cili pritet të luajë nga minuta e parë ndaj Bullgarisë, të martën mbrëma.
Optimist duket edhe Blerim Xhemajli, i cili po ashtu do ta kërkojë minutazhin e tij në sfidën me bullgarët. “Tashmë çdo gjë është në duart tona. Të martën duhet të luajmë mirë. Gëzimi është kthyer, agresiviteti është i lartë, jemi të vendosur”, deklaroi mesfushori i Napolit.
Përpos Mehmedit, selektori Ottmar Hitzfeld ndaj bullgarëve mund t’ia japë rastin nga minuta e parë edhe Granit Xhakës. Ky i fundit do të mundohet t’ia shpërblejë besimin trajnerit gjerman, i cili e fton shpesh përkundër moshës së re.
“Unë jam më i riu këtu. Është befasuese se sa i ri është ekipi ynë. Por, kjo na bën më të lehtë që të integrohemi, sepse jemi shumë lojtarë që njihemi nga ekipi U-21. Jemi të nderuar që zotëri Hitzfeld na jep rastin. Dëshirojmë t’ia kthejmë këtë besim. Unë jam gati për të luajtur, shpresoj në rezultat pozitiv”, theksoi mesfushori i ri i Baselit.
Shoku i tij i ekipit, Xherdan Shaqiri, tashmë është bërë pjesë e rregullt e Zvicrës. Edhe ai mendon se topi tashmë është te Helvetikët pas dështimeve të malazezëve. “Në tri ndeshjet e fundit na takon vetëm neve që të kryejmë punën”, tha 19 vjeçari.
Zvicra do të luajë sonte ndaj Bullgarisë në shtëpi, duke filluar nga ora 20:15
Për këtë takim, selektori Hitzfeld ka ftuar katër futbollistë shqiptarë: Admir Mehmedi, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri e Blerim Xhemajli.
Euro 2012
Grupi A
Azerbajxhani – Kazakistani17:00
Austria – Turqia20:30
Grupi B
Rusia – Rep. Irlanda 17:00
Maqedonia – Andorra 20:00
Sllovakia – Armenia 20:15
Grupi C
Estonia - Irlanda V.20:30
Serbia – Ishujt Faroe 20:30
Italia – Sllovenia 20:45
Grupi D
Bosnja – Bjellorusia 20:15
Luksemburgu – Shqipëria 20:15
Romania – Franca 20:30
Grupi E
Finlanda – Holanda 19:00
Moldavia – Hungaria 19:45
San Marino – Suedia 20:30
Grupi F
Kroacia – Izraeli 20:00
Letonia – Greqia 20:30
Malta – Gjeorgjia 20:30
Grupi G
Zvicra – Bullgaria 20:30
Anglia – Uellsi 20:45
Grupi H
Danimarka – Norvegjia20:15
Islanda – Qipro 20:45
Grupi I
Skocia – Lituania 21:00
Spanja – Litenshtajni 22:00