Varret e ushtarëve grekë, Topi firmos marrëveshjen

Marrëveshja në fjalë u kundërshtua nga dy deputetët çam gjatë miratimit të saj në Kuvend
TIRANË - Kontestimet e komunitetit çam nuk kanë ndikuar aspak në vendimmarrjen e Presidentit të Republikës, i cili dje ka dekretuar marrëveshjen e shumëdebatuar të varreve të ushtarëve grek të rënë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Marrëveshja në fjalë u kundërshtua fortë nga dy deputetët çam gjatë miratimit të saj në Kuvendin e Shqipërisë, të cilët kërkuan shtyrjen e ratifikimit të saj deri në një kohë kur edhe nga pala greke do të pranoheshin kërkesat e komunitetit çam për ngritjen e varrezave dhe disa obeliskëve në kujtim të të rënëve të genocidit grek ndaj kësaj popullsie. Përveç tyre, kundra marrëveshjes gjatë ratifikimit në Kuvend votuan edhe dy deputetët demokrat Ardian Kollozi dhe Bedri Hoxha, si dhe deputeti i LSI-së, Lefter Koka.
Dekretimi i kreut të shtetit vjen në një kohë kur në vend nuk është shuar ende indinjata që shkaktuan thirrjet raciste të disa ushtarëve të marinës greke kundrejt popullsisë shqiptare.
Marrëveshja për gjetjen dhe rivarrimin e eshtrave të ushtarëve grekë të rënë në territoret shqiptare gjatë luftës Italo-Greke, pjesë e Luftës së Dytë Botërore, u nënshkrua më 19 nëntor të vitit 2008 në Tiranë, si një kërkesë e vazhdueshme e qeverisë greke.
Për hartimin e saj funksionoi për një kohë relativisht të gjatë një komision i përbashkët i dy ministrive tona të jashtme, të cilat siç bëhet e ditur në relacionin shoqërues të ligjit e rinegociuan atë disa herë dhe për ta përmbyllur vetëm në nëntor të vitit 2008.
Por pavarësisht se nënshkrimi i saj mes palëve është bërë që dy vjet më parë, vet reagimi i opinionit publik detyroi qeverinë shqiptare që ta zvarrisë ratifikimin e saj në Kuvend deri para pak ditësh kur edhe e kaloi në Kuvend.
Në bazë të kësaj marrëveshje për rivarrimin e ushtarëve grek të rënë në periudhën 1940-1941 do të ngrihen dy varreza, njëra në Këlcyrë të Përmetit dhe tjetra në Gjirokastër. Ekzaminimet e eshtrave që do të vendosen do të bëhen nga një grup ekspertësh të ngarkuar posaçërisht për kryerjen e kësaj procedure.
Në to, do të jenë një numër i barabartë anëtarësh nga të dyja palët dhe do të kenë në përbërjen e tyre ekspertëve të mjekësisë ligjore, ushtarakë dhe historianë, që do të merren me administrimin e eshtrave por edhe të elementëve të tjerë që kanë lidhje me zbardhjen e fakteve historike.
Skeletet që do të nxirren do të fotografohen dhe dosja do të mbahet në dy kopje e protokolluar nga të dy palët. Një rol në këtë proces do të luaj edhe Kisha Ortodokse Shqiptare, e cila do të administrojë dy vendprehjet e reja të ushtarëve grek, por vetëm në aspektin humanitar të tyre.