E Diel, 1 Nëntor 2026

Varreza e Sharrës, qeveria blen 4107 m² tokë për zgjerimin

Miratohet fondi 9 721 269 lekë për shpronësimin e pronarëve që preken nga zgjerimi i varrezave publike të Sharrës. Specialistët: Toka e blerë nuk zgjidh plotësisht problemin, vlen për 3-4 muaj

Qeveria vendos të blejë 4107 m² tokë private për të zgjeruar hapësirën e Varrezës

së Sharrës, në të cilën kapacitetet për varre të reja kanë kaluar çdo lloj kufiri. Vendimi është marrë dje nga Këshilli i Ministrave, ndërkohë që brenda 30 ditëve nga hyrja e tij në fuqi, Bashkia e Tiranës duhet të ketë përfunduar projektin për zgjerimin e varrezës publike të Sharrës. Nëpërmjet vendimit “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga zgjerimi i varrezave publike të Sharrës, faza III, në Bashkinë e Tiranës”, qeveria ka përcaktuar edhe fondin si dhe afatet për shpronësimin e pronarëve që do t’u merret toka. “Masa e shpërblimit të pronarëve, pasuritë pronë private të të cilëve shpronësohen, është 9 721 269 (nëntë milionë e shtatëqind e njëzet e një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e nëntë) lekë. Vlera e përgjithshme e shpronësimit të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, planifikuar në buxhetin e saj. Afati i përfundimit të procedurës së shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi”, - thuhet në vendim. Për sa i përket vlerës së shpenzimeve procedurale ajo do të përballohet nga Bashkia e Tiranës. “Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë së Tiranës. Regjistrimi i ri i pasurisë prej 4 107 (katër mijë e njëqind e shtatë) m² tokë truall, shpronësuar në favor të Bashkisë së Tiranës, të bëhet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Ngarkohen Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Brendshme për ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi”, - përcaktohet në vendim. Por, sipas specialistëve të shërbimeve funerale në kryeqytet, marrja e një hapësire të tillë toke nuk shërben për të zgjidhur plotësisht problemin e vazhdueshëm të mungesës së varreve në Tiranë. Duke marrë shkas nga infrastruktura e varrezave, specialistët shpjegojnë se nga toka e marrë gati gjysma e saj mbetet e pashfrytëzuar, dhe kjo pjesë mund të përdoret për 3-4 muaj. Ezaurimi i hapësirës për të bërë varrime të reja në Sharrë ka detyruar Ndërmarrjen e Shërbimit Funeral të Bashkisë së Tiranës që në shtator të vitit të kaluar të merrte vendimin për të pezulluar varrimet në të. Në fakt, panorama në këtë varrezë është rrëqethëse. Për të gjetur varrin e ndonjë personi të afërm të duhet të kërkosh me minuta të tëra, pasi rrugicat ndarëse midis varreve janë zhdukur, për t’u përdorur për varre të reja për shkak të mungesës së tokës. E po kështu, në varrezën e Sharrës, nuk është çudi të shohësh pllaka varri me shumë emra të mbivendosur, çka do të thotë se në të njëjtin vend janë varrosur disa njerëz.

Ndërkohë që edhe në Tufinë, ku hapen 3 mijë varre të reja në vit, paraqitet e njëjta situatë dhe nëse nuk gjendet një zgjidhje së shpejti kjo varrezë rrezikon të mbyllet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›