Ushtarakët, ISSH: Nuk ka pensione të parakohshme nën 13 mijë lekë
Përfitimet e parakohshme, Agron Ahmetaj: Nuk është ulur asnjë lloj pensioni. Kaq u takon sipas ligjit, për shkak të vjetërsisë së punës dhe kontributeve që kanë
Pensionet e parakohshme të ushtarakëve nuk janë ulur dhe pagesat janë përcaktuar në bazë të ligjit në fuqi. Drejtues të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) shpjegojnë se asnjë pension i parakohshëm për vjetërsi shërbimi nuk është nën masën e shumës bazë, që është 13267 lekë në muaj, megjithëse Bordi Ekzekutiv i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë (SHKURSH) deklaron të kundërtën. Sipas Bordit Ekzekutiv të SHKURSH, pensionet e parakohshme për ushtarakët që u ka lindur e drejta e përfitimit para 1 korrikut të vitit 2009, por nuk kanë përfituar para kësaj date, janë ulur me 6-7 mijë lekë të reja. Por, specialistët e ISSH-së që merren me rillogaritjen e pensioneve të ushtarakëve, proces ky që kryhet në bazë të Ligjit Nr.10142, sqarojnë se nuk është ulur asnjë lloj pensioni për këtë kategori, madje për disa prej tyre siç janë ata të para ’91 përfitimet janë rritur, sepse po trajtohen edhe me pagesat suplementare. “Nuk është ulur asnjë lloj pensioni. Kaq u takon sipas ligjit, për shkak të vjetërsisë së punës dhe kontributeve që kanë. Nuk ka asnjë pension të parakohshëm nën 13 mijë lekë. Për ata që kanë marrë më shumë sipas ligjit të vjetër, në bazë të rillogaritjes u takojnë pagesa të tjera. Ne kemi zbatuar thjesht ligjin, nuk jemi institucion politikëbërës, nëse kanë ankesa të paraqiten në ministritë e linjës prej nga na vijnë dokumentet, dhe ne bëjmë rillogaritjen”, - pohon drejtori i Drejtorisë së Përfitimeve në ISSH, Agron Ahmetaj. Në total bëhet fjalë për rreth 1 mijë ushtarakë të prekur nga rillogaritja, që i përkasin kategorisë së pensioneve të parakohshme, por që kanë më pak se 14 ose 15 vite pune dhe për këtë arsye nuk mund të marrin të njëjtën masë përfitimi me personat që kanë nga 30 vite. Ndërkaq, Ahmetaj shpjegon se rillogaritja e pensioneve është bërë në bazë të nenit 29 të Ligjit Nr.10142, i cili e njeh këtë të drejtë edhe në rastet e pensioneve të ankimuara në gjykata. Ndaj, sipas tij, personat që kanë probleme lidhur me këtë proces duhet t’u drejtohen institucioneve përgjegjëse, të cilat disponojnë edhe dokumentet e nevojshme për secilin prej tyre, mbi bazën e të cilave bëhet edhe rillogaritja e përfitimit. Po kështu, edhe personat që nuk janë dakord me masën e pensionit të caktuar pas rillogaritjes dhe që pretendojnë se u takon më tepër, mund të ndjekin procedurën e ankimimit të pagesës. Sipas Bordit Ekzekutiv të SHKURSH, pensionet e parakohshme për ushtarakët që u ka lindur e drejta e përfitimit nga 1 korriku vitit 2009 janë ulur me 6-7 mijë lekë të reja. Për shembull, nëse masa pensionit të parakohshëm për një ushtarak ishte 17 mijë lekë në muaj, sipas ndryshimeve të fundit, në llogarinë e tij të pensionit tashmë derdhen 11 mijë lekë, pasi shuma e zbritur mbahet për shkak të pagesave më të larta që ata kanë përfituar më parë. Madje, jo vetëm kaq, por sipas Bordit Ekzekutiv të SHKURSH, ushtarakët, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Shërbimit Informativ etj., të cilët gëzojnë të drejtën e pensionit të parakohshëm, jo vetëm kanë zbritur në nivelin e pensionit minimal, por janë shpallur edhe debitorë nga data 1 korrik 2009, duke u paguar në masën 6-7 mijë lekë të reja në muaj, pra nën nivelin e pensionit minimal.
Neni 29
Rillogaritja e të drejtave të njohura
1. Dispozitat e ligjeve nr.8087, datë 13.3.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nr.8661, datë 18.9.2000 “Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit” zbatohen deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
2. Pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe pensionet suplementare, të caktuara në përputhje me ligjet nr.8087, datë 13.3.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nr.8661, datë 18.9.2000 “Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”, si edhe ato të caktuara me vendime të gjykatave, pavarësisht nga mosha e vjetërsia në punë, në çastin e fillimit të së drejtës, do të rillogariten. Rillogaritja bëhet sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj dhe në bazë të pagave referuese, në çastin që i ka lindur e drejta për përfitim. Mbi këtë masë përfitimi të rivlerësuar zbatohen koeficientët e rritjes apo të indeksimit të pensionit, sipas vendimeve të veçanta të Këshillit të Ministrave, nga çasti i lindjes së të drejtës dhe deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Masa e pensionit, e rivlerësuar si më lart, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, vlerësohet si shumë përfundimtare e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ose e pensionit suplementar.
3. Pensionet për vjetërsi shërbimi, kur plotësohen kriteret e nenit 11 të ligjit nr.8087, datë 13.3.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe kur e drejta për përfitim ka lindur në harkun kohor l. 1.1999 deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, por nuk është caktuar, llogariten sipas kritereve të këtij ligji.
Kushtet e përfitimit të pensionit të parakohshëm
Ushtaraku i shërbimit aktiv të përhershëm në Forcat e Armatosura, punonjësi i Policisë së Shtetit, i Gardës së Republikës, i SHISH-it, i Policisë së Burgjeve, i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, pavarësisht nga koha e daljes në rezervë/lirim, deri në plotësimin e moshës për pension të plotë pleqërie, sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, fitojnë të drejtën e pensionit të parakohshëm, kur: plotësojnë vjetërsinë në shërbim, 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt; kanë mbushur moshën 42 vjeç femrat dhe 47 vjeç meshkujt. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet kur përfituesi rikthehet në shërbimin aktiv.