Varrezat e Kuçovës, hapësirë vetëm për 10 ditë
Bashkia kërkon kalimin e truallit ngjitur varrezave, që është pronë e ndërmarrjes së naftës
Kreu i bashkisë: Nëse nuk na gjendet një zgjidhje, të vdekurit do të mbeten jashtë. Nuk ka më vende
Kuçovë- Në varrezat publike të Kuçovës kanë mbetur fare pak hapësira të lira. Aq sa, nëse brenda 10 ditësh nuk gjendet tjetër zgjidhje, nuk ka më vend për varre të reja. Alarmi jepet nga kreu i bashkisë së qytetit, Artur Kurti, sipas të cilit problemi i hapësirës në këto varreza është i hershëm, por tani ka mbërritur kulmin. "Nëse nuk gjen zgjidhje problemi i kalimit të truallit që është në varësi të ndërmarrjes së naftës, për dobi të varrezave, atëherë të ndjerët do të mbeten jashtë, pasi nuk kemi më asnjë lloj mundësie",- ka thënë ai.
***
Mësohet se gjithçka gjen zgjidhje, nëse trualli ngjitur me varrezat, që është në varësi të ndërmarrjes së naftës, i kalon bashkisë. Por, ky është një "konflikt" i nisur vite më parë, kur një shkresë zyrtare e ministrisë së asaj kohe e lejonte këtë lloj kalimi. Vendim që, sipas kryetarit të bashkisë, nuk arriti të gjente asnjëherë zbatim, duke e përkeqësuar shumë problemin. Për këtë shqetësim ai i është drejtuar me një letër instancave të larta të shtetit, duke i kërkuar reflektim dhe ndërhyrje për zbatimin e urdhrit për kalimin e truallit. "Janë 7380 metra katror tokë ngjitur me varrezat ekzistuese publike, në lagjen periferike e këtij qytetit, pronë e ndërmarrjes Alpetrol. Bashkia e ka kërkuar këtë tokë për zgjerim të varrezave publike që para vitit 2000",- thotë Kurti. Mësohet se në vitin 2002, ministri ka firmosur kalimin e truallit, në pronësi të bashkisë së Kuçovës, por urdhri, sipas Kurtit, nuk u zbatua dhe nuk u dha asnjëherë përgjigje se përse ndodhi kështu. Ai bën me dije se e njëjta aktmarrëveshje është konfirmuar edhe më pas, por gjithmonë ka mbetur në heshtje dhe problemi ka mbetur i pazgjidhur, duke e bërë tejet të vështirë situatën në varrezat e qytetit me 35 mijë banorë.
***
Burime nga prefektura bëjnë me dije se deri tani pretendim kanë qenë tubacionet e naftës të shtrira nëntokë dhe në sipërfaqe dhe puset ekzistuese. Mësohet se janë pikërisht tubacionet që bëjnë shkarkimin e naftës bruto nga puset përkatës për në qendër të grumbullimit të saj në depot naftëmbajtëse. Dëmtimi i tyre, sipas specialistëve, do të sillte shumë probleme, qoftë për varrezat, qoftë për lagjen pranë varrezave, pasi do të kishte ndotje të konsiderueshme nga nafta. Ditët e fundit bëhet me dije se ka mbërritur edhe një grup kontrolli për të parë korrespondencën e mbajtur gjatë viteve dhe për të qenë në brendësi të situatës, duke bërë vrojtimet në terren. Sipas burimeve nga prefektura, mësohet se pritet së shpejti një konkluzion për këtë problem. Ndërkaq, nga bashkia mësohet se këtij institucioni nuk i intereson hetimi i çështjes, por gjetja e një zgjidhjeje të shpejtë. "Ne na intereson një zgjidhje dhe shumë e shpejtë, pasi ndryshe nuk dimë se si do të përballemi me qytetarët",- thotë kreu i bashkisë.
Sulo Gozhina