E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shmangen çamët, diskutohet censusi

09/09/2011  Zyrtari i Ministrisë së Jashtme të Greqisë viziton Shqipërinë

Haxhinasto: Do të bëjmë progres në gjithë çështjet që ekzistojnë mes dy vendeve

Çështja e regjistrimit të popullsisë është përfshirë tashmë në axhendën diplomatike të shtetit fqinj, Greqisë. Kjo çështje mendohet të ketë qenë edhe qëllimi i vizitës në vendin tonë të sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme të Greqisë Yannis-Alexis Zepos, me kërkesë të këtij të fundit. Zepos është pritur nga ministri i Punëve të Jashtme, njëkohësisht zëvendëskryeministër i vendit, Edmond Haxhinasto, i shoqëruar edhe nga ambasadori grek në Tiranë. Pak përpara takimit me kreun e diplomacisë shqiptare, për rreth një orë Zepos ka biseduar për një sërë çështjesh me homologun shqiptar Gazmend Turdiu. Në komunikatën për shtyp të Ministrisë së Jashtme thuhet se në takim u shpreh vullneti i përbashkët për zhvillimin dhe konkretizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Ndërkohë burime nga Ministria e Jashtme, në mënyrë konfidenciale pohojnë se pjesë e bisedimeve ishte edhe çështja e censusit, çështja e ujrave, ndërkohë që është shmangur nga këto bisedime çështja çame . Po sipas këtij njoftimi, Zepos nënvizoi se Greqia do të vazhdojë të jetë ndër mbështetësit kryesorë në përpjekjet që bën Shqipëria për integrimin evropian, duke ofruar asistencën e saj konkrete në këtë drejtim. Ai përcolli gjithashtu ftesën e Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës Greke Lambrinidis për Haxhinaston për të vizituar Athinën. Më tej sekretari i Ministrisë së Jashtme greke ka vlerësuar edhe kontributin e shqiptarëve që jetojnë në Greqi dhe u shpreh se ata janë një urë e rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Nga ana e tij Haxhinasto theksoi nevojën e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy vendeve. “Me vullnetin dhe angazhimin e përbashkët që ekziston, do të bëjmë progres dhe hapa konkretë në gjithë çështjet që ekzistojnë midis dy vendeve tona. Marrëdhëniet me Greqinë janë substanciale dhe perceptimi publik për to duhet të reflektojë këtë substancë, - u shpreh ministri Haxhinasto.

Takimi me Berishën

Pas Ministrisë së Jashtme zyrtari i lartë grek ishte selinë e qeverisë, ku u takua me kryeministrin Berisha. Sipas zyrës së shtypit të Kryeministrisë, në takim u diskuan çështje të bashkëpunimit dhe u rikonfirmuan angazhimi i palëve për të zhvilluar marrëdhënie të shkëlqyera miqësore e të fqinjësisë, si dhe për të konsoliduar bashkëpunimin në të gjitha fushat si në aspektin dypalësh, ashtu dhe në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Kabllogramet

Kabllogramet e ambasadës amerikane tregojnë për prapaskenat diplomatike të Greqisë dhe bindjen e qeverisë shqiptare për t’i plotësuar tekat Athinës, ku theksohet se diplomacia greke u mundua fuqishëm që bisedimet greko-shqiptare të mbaheshin sa më larg vëmendjes amerikane. Po një tjetër kabllogram dëshmon se marrëveshja për kufirin është bërë nga qeveria në shkëmbim të ratifikimit nga ana e Greqisë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›