E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxha: Me Withers nuk kam folur për Shkëlzen Berishën

09/09/2011  Ish-gjenerali përgënjeshtron bisedën në kabllogramin e dërguar nga ambasadori

Ish- gjenerali Luan Hoxha, duket se është i pari që ka prekur një fakt sipas tij të pavërtetë në raportimet e ambasadorit Withers. Megjithëse Gjenerali pranon një takim konfidencial, ai kundërshton disa fakte mbi këtë takim.

Duke argumentuar se televizionet dhe shtypi shqiptar kanë publikuar kohë pas kohe dokumente të nxjerra nga Wikileaks, ku midis të tjerash edhe një bisedë të zhvilluar në qershor të vitit 2008 mes meje dhe ish-ambasadorit amerikan në Tiranë zotit John Withers ai shton: “Duke konfirmuar këtë takim si konfidencial e kortezie, që unë në cilësinë e ish-Shefit të Shtabit e kam pasur me ish-ambasadorin John Withers, dëshiroj të sqaroj se: “Gjatë këtij takimi, nga ana ime nuk është përmendur emri i z. Shkëlzen Berisha, as në lidhje me ngjarjen e Gërdecit dhe as për çështje të tjera pune që u trajtuan miqësisht e konfidencialisht”.

Ndërkohë në lidhje me situatën e ndërtimit të fabrikës së demontimit në Gërdec, si dhe të ngjarjes tragjike në të, gjenerali thekson se të vërtetën e tij e ka dhënë në gjykatë dhe institucionet përkatëse të shtetit. “Shpjegimin tim mbi përgjegjësitë, procedurat, dhe rrethanat e fatkeqësisë teknologjike të Gërdecit, unë i kam dhënë me vullnetin tim të lirë në Ministrinë e Mbrojtjes, në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në Prokurori, dhe në Gjykatë, duke u bazuar në të vërtetën dhe ligjin. Përtej çdo spekulimi, kjo ngelet dëshmia ime e plotë dhe e vetme mbi këtë ngjarje”.

Ndërkohë në lidhje me punën e tij gjenerali thekson “gjatë gjithë karrierës sime si ushtarak jam përpjekur të japë maksimumin në të gjitha detyrat që më janë ngarkuar, si në situata normale apo dhe shumë të vështira. Për këtë kam pasur vlerësimet më të mira nga institucionet shtetërore kombëtare e ndërkombëtare. Sot ushtroj profesionin si pedagog, por sidoqoftë përgjigja e ime ndaj kërcënimeve apo presioneve, nga kushdo qoftë ka qenë e do të jetë e njëjta, ajo që bazohet në të vërtetën dhe ligjin”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›