E Diel, 1 Nëntor 2026

Varrezat greke, Topi firmos marrëveshjen

14/04/2010 Presidenti i Republikës dekreton shpalljen e disa ligjeve

Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Greqisë, që parashikon ndërtimin e varrezave greke në Shqipëri, pas miratimit nga Kuvendi është firmosur dje nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Dje kreu i shtetit ka realizuar pranimin zyrtar duke firmosur dekretimin e shpalljes së ligjit, ndërkohë që ai e kishte paralajmëruar mbështetjen e tij për këtë marrëveshje dy javë më parë. Pak ditë pasi Kuvendi miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta brenda territorit të Republikës së Shqipërisë”, Presidenti Topi u shpreh dakord më të. “...Ka shumë çaste për t’u takuar e për të sinkronizuar qëndrimet dhe për të nderuar në mënyrë reciproke. Unë e shikoj më se të nevojshme që, kur të trajtohet çështja e masakrës çame, detyrimisht dua të pranohet çështja e një obelisku, sepse është më se normale”, është shprehur Topi gjatë një interviste televizive. Marrëveshja në fjalë u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë në seancën e 25 marsit, ditën kombëtare të Greqisë, me 66 vota pro, 5 kundër dhe një abstenim. Kundër saj u deklaruan hapur dy deputetët e PDU-së, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri. Ata gjykuan se projekti vjen në një moment të papërshtatshëm, në kohën kur popullsia çame nuk lejohet të vizitojë vendin e të parëve të saj. Sipas marrëveshjes, Shqipëria do të lejojë ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë që kanë vdekur në tokën shqiptare gjatë luftës italo-greke, pjesë e Luftës së Dytë Botërore. Është rënë dakord që eshtrat të prehen në dy varreza: njëra përgjatë rrugës Lekël-Këlcyrë, rrethi i Përmetit, me sipërfaqe 10 mijë metra katrorë, ku do të mblidhen eshtrat e gjithë të rënëve grekë në Shqipëri; e dyta do të jetë në fshatin Bularat të Gjirokastrës, varrezë ekzistuese me 59 varre. Por është marrë parasysh se, nëse për shkaqe të detyrueshme publike sheshi i caktuar do të nevojitet për një qëllim tjetër, atëherë Qeveria shqiptare do të vërë në dispozicion të Qeverisë greke një shesh tjetër. Sipas marrëveshjes, trualli për ndërtimin e këtyre varrezave do të ofrohet nga Qeveria shqiptare. Marrëveshja saktëson se të gjitha shpenzimet lidhur me kërkimin, varrimin, identifikimin dhe ngritjen e vendprehjeve përkatëse do të mbulohen nga pala greke. Palës shqiptare i kërkohet vetëm mbështetje mbi të dhënat dhe informacionet e nevojshme. Në këto varreza do të vendosen edhe eshtrat e personave të tjerë, që kanë shoqëruar dhe kanë qenë pjesëtarë të ushtrisë greke, si anëtarë të Kryqit të Kuq, priftërinj apo personel mjekësor. Në marrëveshje thuhet se është parashikuar që të kryhet ceremoni zyrtare në kujtim të të rënëve, që do të organizohet nga përfaqësues të Qeverisë së Tiranës dhe të Athinës çdo 28 tetor, datë e cila përkujton nisjen e luftës italo-greke.

Historiku

Çështja e ndërtimit të varrezave greke është ngritur nga pala greke që në 2005-n. Ambasada fqinje në Tiranë iu drejtua me një shkresë komunës Qendër, Tepelenë, mbi mundësitë e rrethimit të një varreze për ushtarët grekë pranë fshatit Dragot. Në shkurt 2006, po kjo ambasadë ka përcjellë pranë Ministrisë së Mbrojtjes tekstin e protokollit për ndërtimin e varrezave. Konsultimet mes palëve u zhvilluan në 11-12 prill të 2009-s. Në vitin 2009 u zhvilluan tri raunde negocimi për tekstin e marrëveshjes nga komisioni i përbashkët greko-shqiptar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›