E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kumbaro “rrëzohet” për herë të 4 në gjykatë

14/04/2010 Nuk pranohet liria. “Rebelohet” mbrojtja: Të ikë trupi gjykues

Zhdukja e Remzi Hoxhës në vitin 1995, mbetet ende mister në gjykatë

TIRANË- Gjykata rrëzoi sërish kërkesën për të liruar Ilir Kumbaron, akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Kumbaro i drejtohet gjykatës për të tretën herë me qëllimin e vetëm ndryshimin e masës së sigurimit. Kur kërkesa i është rrëzuar nga të gjitha shkallët, avokati Vojo Bregu pretendon se është i barabartë me dy të pandehurit e tjerë, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi. Sipas tij, po abuzohet në çështje duke përdorur dy standarde. Nga njëra anë, për Ilir Kumbaron vendoset masa e arrestit me burg, ndërsa Sefgjini dhe Koldashi gjykohen në gjendje të lirë. I menjëhershëm ishte reagimi i akuzës. Prokurori tha se masa ndaj Ilir Kumbaros, i cili dyshohet se ka kryer një vepër tepër të rëndë, atë të rrëmbimit dhe torturimit të Remzi Hoxhës, nuk është ekzekutuar asnjëherë dhe ai nuk ka qëndruar asnjë ditë të vetme në burg. Sipas akuzës, Kumbaro i është fshehur drejtësisë për vite me radhë, duke përdorur edhe emër të rremë. Kërkesa e avokatit Vojo Bregu u quajt e padrejtë dhe e pambështetur në prova edhe nga trupi gjykues, i cili e mori menjëherë në shqyrtim dhe e rrëzoi atë. Kaq ka mjaftuar që mbrojtja e Kumbaros të reagonte ndryshe. Bregu nuk vonoi dhe kërkoi përjashtimin e trupit gjykues nga drejtimi i kësaj çështje duke e quajtur të njëanshëm dhe paragjykues. Një tjetër gjyqtar do të shprehet javën që vjen për përjashtimin ose jo të kolegëve të tij. Kumbaro vazhdon të qëndrojë në Britani të Madhe në pritje të ekstradimit. Provat e deritanishme tregojnë se Kumbaro është një nga personat kyç të kësaj çështjeje. Sipas saj, ai ka pasur dijeni dhe ka marrë pjesë në pyetjen e torturimin e Remzi Hoxhës në tetor të vitit 1995. Ndërsa bashkëfajtor me të, sipas akuzës, janë edhe Arben Sefgjini e Avni Koldashi. Shumë shpejt pritet të vij edhe dëshmia e një prej personave që i mbijetuan torturave dhe ndodhet në Holandë, Avdyl Loshaj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›