Vartësit e alkoolit, streha që ofron ndihmë për të lënë vesin

Shefi i Shërbimit të Trajtimit të Vartësisë Alkoologjike, Doksani, shpjegon metodat e klinikës dhe kriteret që duhet të kenë pacientët
Nëse kanë vendosur të heqin dorë nga vesi vartësisë ndaj alkoolit tashmë kanë një strehë ku mund të provojnë të largohen përfundimisht nga droga që i ka mbajtur peng.
Mund të bëjnë terapi në grup, të marrin barnat që iu nevojiten, shërbim psikologjik për vete dhe familjen, por të gjitha këto vetëm me një kusht që të jenë të vendosur dhe të zbatojnë çdo rregullore të shërbimit.
Bëhet fjalë për shërbimin më të ri shëndetësor në vendin tonë që është Shërbimi i Trajtimit të Vartësisë Alkoologjike, i cili ka filluar funksionin prej 5-muajsh. Shefi i këtij shërbimi, Shpëtim Doksani, në intervistën për "Shekullin" shpjegon se çfarë mund të përfitojnë pacientët nga ky shërbim, cilat janë metodat e këtij shërbimi, dhe kategoritë që pacientëve të këtij shërbimi.
Ky është një shërbim i ri në vendin tonë. Përse lindi ideja e krijimit të këtij shërbimi dhe a mund të quhet sëmundje vartësia ndaj alkoolit?
Po është e vërtetë që është shërbimi më i ri, pasi ka filluar të funksionojë më 2 nëntor të vitit 2009-të. Duke u nisur nga fenomeni alkoolizmit që është një fenomen mjaft i përhapur në territorin shqiptar, por edhe në botë konsiderohet patologji, pra sëmundje dhe është sëmundje multifunksionale.
Kjo sëmundje prek gjithë sistemin e organizmit të njeriut. Alkoolizimi godet së pari sistemin fizik, duke filluar nga sistemi kardiovaskular, hepatitet, mëlçia, sistemin e tretjes, sistemin respirator, pra godet në përgjithësi sistemin fizik.
Gjithashtu, kjo sëmundje godet edhe shëndetin mendor, sepse një vartësi nga alkooli i shfaqen probleme në sistemin nervor si shfaqjet depresive, neuropatia dhe shkojnë deri në psikoza. Por, ajo që është akoma më e dëmshme është se alkooli godet edhe shëndetin social dhe, së pari, shëndetin e familjes.
Më thoni konkretisht çfarë shërbimi marrin pacientët këtu?
Kjo klinikë është hapur në bazë të një eksperience të shkollës Europiane të Alkoologjisë me qendër në Itali dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Shkolla Europiane e Alkoologjisë implemeton metodën hudolin, e cila është metoda më efikase që jep rezultate të shkëlqyera për trajtimin e vartësve ndaj alkoolit.
Ku konsiston kjo metodë?
Trajtimi klinik këtu është një metodë. Pacienti rri në klinikë një muaj. Janë tre etapa themelor të kësaj metode, sepse kjo metodë trajton vetëm vartësinë alkoolike. Pra, bën promovimin për të parandaluar konsumin e tepërt të alkoolit, por trajton klinikisht vetëm vartësinë nga alkooli.
Pra, etapa e parë, është ardhja në klinikë dhe qëndrimi i tyre për një muaj. Etapa e dytë, është trajtimi i tyre në klubet e trajtimit alkoolist, që janë bisedimet në grup me ata që kanë kaluar periudhën kliniciste prej një muaji, kalojnë në takime të tilla që bëhen një herë në javë. Këtë javë që vjen ne do të hapim klubin e parë, ku do të vijnë familjarët së bashku me subjektin që është trajtuar, pasi edhe vetë familja ka nevojë për kurim.
Ne, pra, përvç mjekimit bazë me medikamente kemi edhe psikoterapi dhe sidomos komunitetin multifamiljar. Sepse duhet ndryshuar edhe raporti i familjarëve ndaj personit që është vartës i alkoolit.
Si do punohet me familjarët?
Pikërisht familja duhet t'i japë një suport të rëndësishëm këtij subjekti që të heqë dorë nga alkooli.
Për t'i dhënë këtë suport duhet të ndryshojë mënyra e komunikimit të familjarëve, të cilët në përgjithësi jo vetëm që nuk i ndihmojnë vartësit e alkoolit, por me veprimet e tyre i nxisin drejt konsumimit të alkoolit. Kjo duke u thënë atyre, thonë se po i marrin në qafë, çfarë na bëre, nuk je për asgjë dhe shumë fjalë të tjera që vetëm shtojnë veprimet e subjektit ndaj alkoolit.
Në përgjithësi në klinikë vijnë meshkuj apo edhe femra?
Ne deri tani kemi trajtuar 52 subjekte. Shumica e të trajtuarve janë meshkuj, nga të cilët vetëm tre kanë qenë femra të moshës relativisht të re, ku njëra ka qenë 26-vjçare dhe tjetra rreth 43-vjçare.
Në përgjithësi, moshat që kanë krijuar varësi ndaj alkoolit janë nga rreth të 40 vjç. Rreth 25 për qind e tyre ka qenë moshë e re dhe një pjesë e mirë e tyre emigrantë, pasi kanë pasur disa stimuj që kanë rënë pre e alkoolit si largësia nga familja.
Cilat janë kriteret që personat e varur nga alkooli të trajtohen në këtë klinikë?
Kriteri i parë dhe bazë është vetë dëshira e personit. Sapo ata hyjnë në klinikë pyetën tre herë rresht: "A jeni i vendosur që të lini alkoolin", dhe pos kësaj i referohemi edhe familjes, nëse janë gati t'i mbështesin në këtë vendim që kanë marrë njerëzit e tyre për të lënë alkoolin. Kriteri i dytë është duke zbatuar edhe sistemin e referimit si në çdo shërbim tjetër mjekësor.
Kriter tjetër është gjendja shëndetësore aktuale e pacientit. Pra, në momentin që prezantohet pacienti është me intoksikacin të agravuar të alkoolit përcillet për tek tektoksifikimi i pacientit që do të thotë të pastrohet nga ky intoksikacion.
Duhet të dini se dehja ka disa shkallë. Nëse dehja është e shoqëruar me kriza të rënda, ne i dërgojmë në reaminacion konkretisht në Toksikologjinë e Spitalit Ushtarak. Ndërsa kur intoksikacioni është i moderuar dhe i lehtë ne i trajtojmë këtu.
Si të dallojmë një vartës të alkoolit?
Një person krijon varësi alkoolike kur ai shfaq simptoma të tilla. Shefi i shërbimit të Trajtimit të Vartësisë Alkoologjike, Shpëtim Doksani, shpjegoi se së pari një vartës nuk reziston dot pa konsumuar alkool. "Pra, sa herë që ai nuk është në gjumë kërkon të konsumojë alkool", pohon ai.
Pastaj, ka edhe simptoma të tjera, sipas tij, që janë klinike si dridhje duarsh, dridhje totale e trupit e shoqërohet edhe me neuropati që janë probleme mendore që arrijnë deri në halucinacione të tipit që dikush e thërret, por edhe halucinacione vizive, sikur shohin një të vdekur apo të gjallë, kuçedra, por ka edhe halucinacione aktive, pasi kruhen sikur kanë zgjeben.
"Kjo është tabloja se ku dallohet një person, nëse është vartës i alkoolit apo jo. Tabloja e thjeshtë është kur ai është zgjuar kërkon alkool në çdo moment", - shpjegon Doksani.
Rregullat që duhet të ndjekin vartësit e alkoolit
1. I nënshtrohen dektoksifikimit
2. I nënshtrohen farmakologjisë (barnave)
3. I nënshtrohen psikoterapisë në 3 elemente: edukim shëndetësor, terapi grupi, terapi multifamilajre
4. Zbatimin e orareve në mënyrë rigoroze
5. Të premten në orën 14:00 vjen i merr një familjar për dy ditë pushimi
Doksani: Pacientë në këtë shërbim janë edhe artistët
Të gjitha shtresat, moshat dhe kategoritë nga njerëzit e artit deri tek personat e thjeshtë. Asnjë nuk bën përjashtim, por fenomeni i varësisë nga alkooli i përfshin të gjithë. Shefi i Shërbimit të Trajtimit të Vartësisë Alkoologjike, Shpëtim Doksani, shpjegon se aty kanë trajtuar edhe shkrimtarë, aktorë dhe muzikantë.
"Nuk duam të përmendim emra, pasi nuk është etike, por të gjithë janë pjesë e këtij shërbimi", pohon Doksani. Ndërkohë, një vëzhgim i pavijonit u konstatuan edhe punë artistike të pacientëve si piktura apo poezi të ndryshme që kanë lidhje pikërisht me konsumimin e alkoolit. "Këto janë disa nga punët që kanë bërë pacientët. Ata kanë fantazi dhe krijojnë vërtetë punë interesante", - pohon Doksani.