Çekët kundër Vukçeviçit: Studentët jo për trafik organesh

Kreu i Policisë Kriminale, Çeke, hodhi poshtë pretendimet e prokurorit serb për tre studentët e zhdukur në Dukagjin
TIRANE- Pak kohë pas deklaratës së prokurorit serb të Krimeve të Luftës Vladimir Vukçeviç se tre studentët çekë, të zhdukur në vjeshtën e vitit 2001, në zonën Malore të Dukagjinit, janë vrarë për trafik organesh, autoritetet çeke, hedhin poshtë këtë version.
Historia e zhdukjes së tre studentëve çekë 9 vite më parë në Shqipëri rikthehet sërish në skenën e medias vendase. Mihal Pavelka, Jan Pavelka dhe Lenka Tuçkova, nuk janë vrarë për trafik organesh.
Policia çeke vendase ka hedhur poshtë versionin e Vukçeviçit, sipas të cilit, tre studentët mund të kenë qenë viktima të trafikut të organeve. Sipas policisë së këtij vendi, tre studentët nuk janë vrarë për qëllime të trafikimit të organeve.
"Kontrolluam të gjithë mundësitë, krahasuam të gjithë informacionet dhe provat që kishim, dhe nuk konfirmojmë se ndonjë prej tre studentëve të ketë qenë pjesë e këtij trafiku, deklaroi kreu i policisë kriminale ceke, Jan Noga.
Noga u citua nga agjencia çeke e lajmeve CTK, të cilës i janë referuar dje mediat kosovare. Mediat çeke i janë referuar prokurorit serb për krimet e luftës Vladimir Vukçeviç, i cili pretendon se ka prova se në Shqipëri janë vrarë serbë, dhe më pas organet e tyre janë janë trafikuar për qëllime përfitimi.
Vukçeviç, në fund të vitit të kaluar deklaroi se tre studentët ishin viktima të shtëpisë famëkeqe të verdhë në Burrel. Autoritetet e Beogradit, pretendojnë se njerëzit vriteshin dhe iu hiqeshin organet dhe më pas shiteshin në rrugë të kundraligjshme.
Studentët çekë, përkundër pretendimeve të Vukçeviç, janë zhdukur në zonën malore të Dukagjinit, mes Tropojës dhe Shkodrës, pjesë e Malësisë së Madhe. Vukçeviç pretendon se shtëpia e verdhë, që ndodhet në një fshat të Burrelit, ku janë kryer krimet sipas tij, që në fakt janë dy drejtime diametralisht të kundërta.
Mikael Pavelka, vëllai i tij, Jan, dhe shoqja e tyre Lenka Tuçkova, mbërritën në vendin tonë në shtator të vitit 2001, një periudhë e ndryshme nga ajo ku Serbia akuzon se ka ndodhur rrëmbimi i serbëve.
Në lidhje me gjetjen e trupave të tre studetëve çekë, policia shqiptare ka vënë një shpërblim prej 100 mijë euro për çdo informacion që zbulon të dhëna të sakta për të gjetur trupat e studentëve. Këta të fundit dyshohet se mund të jenë sulmuar për qëllime grabitjeje në zonën e Thethit, ku mendohet se janë parë për herë të fundit.