E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papa, "Urbi e Torbi" edhe në shqip

URIMI

Papa Bendedikti i 16-të ka zbatuar ritualin zyrtar të pashkëve duke uruar nëpërmjet mesazhit tradicional "Urbi e Torbi" të gjithë besimtarët katolikë në të gjitha gjuhët e botës, edhe në shqip. Nga sheshi i "Shën Pjetrit", Papa bëri thirrje në mesazhin e tij për paqe e harmoni në botë.


"Edhe në ditët tona njerëzimi ka nevojë për shpëtimin e ungjillit, për të dalë nga një krizë e thellë dhe si e tillë kërkon ndryshime të thella, duke nisur nga ndërgjegjja" - tha Papa në mesazhin e tij.


Duke vijuar më tej Papa Benedikti i 16-të u shpreh se ndjehet nevoja e një eksodi, jo për rregullime sipërfaqësore, por për një ndryshim shpirtëror dhe moral. Për komunitetin e krishterë, vçanërisht atë në Irak, të cilët përballen me prova e vuajtje, Papa thotë, "Paqja qoftë me ju".


Në mesazhin e tij, Papa nuk ka lënë pa përmendur edhe vendet e Amerikës Latine e Karaibet që siç u shpreh ai po përjetojnë një përshkallëzim të krimit e trafikut të drogës, duke shpresuar që kjo festë të shënojë fitoren e bashkëjetesës në paqe dhe respektin për të mirën e përbashkët.


Për zonat e prekura nga tërmeti mesazhi i tij iu dërgua popullit të shkatërruar të Haitit, për të cilët Papa lutet që të gjejnë forcën për një shpresë të re, të mbështetur në solidaritetin ndërkombëtar. Papa ka përmendur më tej edhe Afrikën, duke shpresuar që t'i jepet fund konflikteve që vazhdojnë të provokojnë shkatërrim dhe vuajtje dhe të arrihet paqja.


***********************


Mijëra besimtarë kanë nisur festimet në mesnatë në kishë për t'i vazhduar me vizitat tradicionale dhe vezët e kuqe


Të krishterët shqiptarë festojnë pashkët


TIRANË- Mijëra besimtarë katolikë dhe ortodoksë kanë festuar dje në të gjithë Shqipërinë ditën e Pashkës.


Këtë vit kalendari ka vendosur "të dyja" Pashkët në një ditë dhe të gjithë besimtarët e krishterë shqiptarë kanë festuar së bashku.
Festa e Pashkëve simbolizon ringjalljen e Krishtit, pas kryqëzimit të tij, dhe është festa me e shenjtë për besimtarët e krishterë.


Sipas Biblës, me ringjalljen e Krishtit, ndodh kalimi nga vdekja në jetë, nga e Premtja e Madhe kur vdes Jezu Krishti pas shumë mundimeve dhe gozhdohet në kryq, në të Dielën e Pashkëve kur ringjallet.


Këtë vit Pashkët përkojnë në të njëjtën ditë si për besimtarët katolikë ashtu edhe për ata ortodoksë. Pashkët kremtohen të dielën e parë pas fillimit të pranverës, apo të dielën e parë pas hënës së parë të plotë të muajit, që zakonisht përkojnë në periudhën 22 mars- 25 prill.


Pas meshës së mesnatës ku klerikët kanë dhënë mesazhin e tyre për të gjithë besimtarët, festa ka vazhduar me pritje gjatë të gjithë paradites. Gjatë orëve të pasdites, sipas traditës, besimtarët kanë kryer vizita për të uruar njëri- tjetrin si dhe për të këmbyer vezët e kuqe që përgatiten posaçërisht për këtë ditë.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›