E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasilevë, shpërthen bombola, vdesin 3 familjarë

DRENAS- Tre anëtarë të familjes Berisha nga fshati Vasilevë e Drenasit janë djegur nga zjarri, i cili ka përfshirë shtëpinë e tyre.

Dyshohet se ata kanë mbetur nën rrënojat e tavanit, pasi zjarri ka përfshirë shtëpinë.

Dy fëmijë, 13 dhe 14-vjeç, janë shpëtuar dhe po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

Dyshojmë që tre persona janë ngujuar brenda, pasi u ka rene tavani për shkak të zjarrit, ka thënë togeri Fehmi Hoti.

Sipas tij, zjarrfikësit e kanë shuar zjarrin, por dyshohet se ka pasur persona brenda që kanë mbetur si pasojë e zjarrit. “Të paktën tre veta të së njëjtës familje. Dy fëmijë 13-14 vjeç janë tërheq nga shtëpia dhe po trajtohen në QKUK. Që të dytë janë jashtë rrezikut për jetë, tha Hoti.

Ka dyshime se zjarri është përhapur pas shpërthimit të një bombole gazi.

Ka informacione të ndryshme, por nuk janë të konfirmuara ende. Ekspertët kanë filluar ekzaminimin e vendit të ngjarjes, i tha togeri Hoti Gazetës Jeta në Kosovë.

Dy fëmijët e familjes Berisha, që pësuan lëndime si pasojë e zjarrit që kaploi shtëpinë e tyre në Fshatin Vasilevë të Drenasit, po trajtohen në Qendrën Emergjente të QKUK-së.

Mjekët kanë bërë menjëherë ekzaminimin dhe vlerësojnë se gjendja shëndetësore e fëmijëve për momentin është e qendrueshme.

Mjeku Sinan Musliu ka konfirmuar për Kosovapress se në Qendrën Emergjente janë sjellë dy fëmijë me djegie të lehta trupore dhe pas trajtimit fillestar, ata janë transferuar për mjekim të mëtutjeshëm në kirurgjinë plastike.

Policia ka konfirmuar se personat që kanë humbur jetën në këtë aksident janë: V.B (mashkull 60 vjeç), H.B (femër 80 vjeçe) dhe S.B (femër 45 vjeçe). Ndërsa dy fëmijët që janë duke u trajtuar në QKUK janë të moshës së mitur dhe ata janë: G.B (femër 12 vjeçe) dhe D.B (mashkull 15 vjeç).

Thaçi ngushëllon familjen Berisha

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Berisha nga Vasileva e Drenasit me rastin e humbjes së tre anëtarëve të saj, si pasojë e zjarrit që shpërtheu në shtëpinë ku jetonin.

Me pikëllim morëm lajmin për humbjen e jetëve të më të dashurve tuaj, si pasojë e shpërthimit të zjarrit. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, pranoni ngushëllimet më të sinqerta. Urojmë që fëmijët e familjes tuaj, që u lënduan nga ky shpërthim, të shërohen sa më shpejt. Qeveria e Republikës së Kosovës solidarizohet dhe ndan dhembjen me familjen tuaj, duke qenë pranë jush në mbështetje të plotë, thuhet në telegram.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›