Ndihma, eurozona kushte të reja për Greqinë
ATHINË- Ministrat e financave të vendeve të eurozonës mbrëmë e kanë pezulluar vendimin për miratimin e pakos së dytë financiare për Greqinë dhe kanë përcaktuar kushte, që Athina duhet ti plotësojë deri më 15 shkurt. Lajmin e ka dhënë nga Brukseli kreu i Eurogrupit, Jean-Claude Juncker.
Nga ana e vet, nënkryetari i qeverisë greke dhe ministër i financave, Evangelos Venizelos, apeloi ndaj forcave politike të vendit që të bëjnë atë që është e nevojshme, me qëllim që të mërkurën e ardhshme që do të mblidhet përsëri Eurogrupi, të jenë përmbushur kushtet për miratimin e programit të ri të ndihmës ndaj Greqisë.
“Momentet janë kritike për vendin dhe kërkojnë përgjegjësi dhe vetëm përgjegjësi nga të gjithë. Gjithçka tjetër nuk ndihmon”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë greke Pandelis Kapsis.
Juncker sqaroi se para mbledhjes së të mërkurës, Greqia duhet të përmbushë tre kushte kryesore:
- Miratimin deri të dielën të marrëveshjes për kredinë e re.
- Të sigurohen kursime shtesë me vlerë 325 milionë euro për vitin 2012.
- Liderët politikë të japin “garanci të fuqishme” për zbatimin e programit ekonomik.